Axhenda anti-familje si kërcënim për të gjithë

Axhenda anti-familje si kërcënim për të gjithë

Nga Klodian Tomorri - 08/11/2021

Sulmi frontal që liberalët e majtë dhe përfaqësuesit e minoriteteve seksuale kanë ndërmarrë ndaj institucionit të familjes tradicionale shtron një pyetje thelbësore; A mundet pakica të diktojë normat, që rregullojë bashkëjetesën e shoqërisë njerëzore?

Në këtë rast argumenti kryesor i përdorur është ai se e drejta duhet të prevalojë edhe kur ajo nuk mbështetet nga shumica. Përtej debatit nëse ndryshimet e kërkuara në Kodin e Familjes janë apo jo të drejta, kjo shtron një problem tjetër po kaq të madh. Kush është autoriteti hyjnor që përcakton se “Prindi 1-Prindi 2” është e drejta, ndërsa emërtimet “nënë-babë” janë e gabuara?

Supozojmë për një moment sikur pakica politike t’i imponohej shumicës me të njëjtin argument. Saktësisht mbi të njëjtën bazë Selami Jenishehri mund të pretendojë se kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë Kujtim Gjuzi, pasi 1274 votat e koalicionit ABEOK përfaqësojnë një gjykim më të drejtë se sa 1 milionë votat e shumicës qeverisëse. Ups!

Në kursin e historisë botërore njihet vetëm një mënyrë se si pakica i imponohet shumicës kundër vullnetit. Ajo është dhuna. Të gjitha regjimet diktatoriale në histori nuk kanë qenë asgjë tjetër, përveçse imponimi i pakicës ndaj shumicës përmes dhunës. Kur pakica dikton rregullat, demokracia vdes.

Por le t’i kthemi sërish debatit për ndryshimin e normave që organizojnë bashkëjetësën e shoqërisë. A është asgjësimi ligjor i familjes tradicionale një e drejtë themelore e pakicës që nuk e gjen veten në këtë institucion?

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e klasifikon familjen si një njësi naturale dhe themelore për shoqërinë, e cila gëzon mbrojtje nga shoqëria dhe shteti. Kjo deklaratë e njeh familjen si bashkimin midis një burri dhe një gruaje nëpërmjet martesës. Pra, tentativa për të goditur familjen, jo vetëm që nuk është e drejtë themelore e atyre që nuk e gjejnë vetën në të, por praktikisht një sulm mbi të drejtat themelore të njeriut, shoqërinë njerëzore dhe mirëqënies së përgjithshme.

Në fund të shekullit 18, kur shkroi “Pasuria e Kombeve”, Adam Smith doli në përfundimin se mekanizmi magjik, që shtyn përpara progresin e njerëzimit është interesi individual. “Nuk është nga dashamirësia e bukëpjesësit apo kasapit, që ne kemi ushqim në tryezën tonë, por nga përmbushja e interesit të tyre vetjak”- u shndërrua në mantrën e doktrinës ekonomike.

Por dy shekuj më vonë, Milton Friedman, një tjetër mendje brilante e historisë njerëzore do ta korrigjonte këtë koncept. Përmes një serie leksionesh të regjistruara në vitin 1977-1978, Friedman provoi se incentiva që nxit progresin e shoqërisë njerëzore nuk është interesi vetjak, por institucioni i familjes.

Prindërit punojnë dhe krijojnë vlerë për shoqërinë sepse duan të sigurojnë mirëqënien e fëmijëve të tyre. Anëtarët e një familje krijojnë vlerë ekonomike, jo vetëm për interesin vetjak, por për të mbështetur të afërmit e tyre.

Koncepti i familjes si incentiva bazë e zhvillimit ekonomik tashmë është pranuar gjerësisht nga skenca. Thuajse të gjitha studimet shkencore në këtë fushë kanë konkluduar në tre parime, të pranuara tashme edhe në rezolutat e Këshillit të të Drejtave të Njeriut:

1- Familja është e mirë për fëmijët. Asnjë strukturë apo institucion tjetër nuk është i aftë të sigurojë të njëtat rezultate cilësore për rritjen e fëmijës se sa familja e përbërë nga një burrë dhe një grua në një lidhje të qëndrueshme.
2- Familja është e mirë për prindërit. Lidhja në martesë dhe formimi i një familje shoqërohet me shëndet më të mirë fizik dhe mendor, mirëqënie emocionale, më pak kriminalitet dhe jetëgjatësi më të madhe
3- Familja është e mirë për shoqërinë. Familja është instrument thelbësor në luftën kundër varfërisë dhe krijimit të mundësive ekonomike.

Pra shkenca është e qartë. Çdo tentativë për të goditur familjen është një fakt sulm mbi themelet e bashkëjetesës shoqërore dhe mekanizmit të mrekullueshëm që bën të mundur progresin ekonomik dhe mirëqënien e njerëzimit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

drita12/11/2021 04:12

Pse pervishesh me tersellem moj zonje apo zonjushe? Ne se keto familjet hibride duan femije, le te bejne, pse adoptojne femijet e dale nga lidhja e perjetshme e burrit dhe e gruas? Sa per denglat se sa para dhe fuqi blerese kane LGBT, s'me ha malli fare, se kjo e dhene s'ka te beje fare me problemin qe shtrohet . LGBT le te vazhdojne jeten qe ju ka diktuar natyra me devijimin e tyre fizik, qe shoqerite moderne e kane legalizuar, po ky legalizim dhe propagandimi i mosdiskriminimit te tyre, nuk do te thote aspak se ka ndryshuar koncepti se baza e shoqerise eshte FAMILJA, E NGRITUR NGA NJE BURRE DHE NJE GRUA.. Eshte pranuar perjashtimi ne nje egzistence normale tolerance shoqerore, po aspak LGBT nuk mund te jete normaliteti i shoqerise dhe familja nje perjashtim. Familja burre-grua ka qene, eshte dhe do te mbetet si egzistenca normale biologjike e riprodhimit te njeriut, gje qe LGBT sado fuqi blerese te kete, nuk e ble dot, se nuk shitet, eshte ne gen. Le t'i hane ato parrate e tyre se s'na behet von fare se kush e sa para ka. Femija zhvillohet biologjikisht ne trupin e gruas ne kontakt fizik me burrin. Me para ti rrit femijet e te tjereve , po vet je nje degezim qe nuk riprodhohet. Sado konventa e mbledhje e parada e ulurima te behen, aprovimi i lidhjes LGBT eshte vetem nje ndryshim ligjor qe devijimet biologjike te mos kriminalizohen, po aspak qe te pretendojne barazi ne egzistencen biologjike si normalitet. Pra le t'i hane parate, te rrisin dhe femijet e te tjereve dhe kaq. Familja burre-grua do mbete baza e zhvillimit biologjik e shoqeror dhe kjo mund te shuhet vetem kur te shuhet planeti yne i shumevuajtur nga mediokrit dhe ekstremistet.

krasasi tp10/11/2021 14:37

Znj.M.Najdeni, ashtu si Friedman edhe ne robtë e Zotit, nuk jemi për diskriminim të gayeve. Që 1 miljon amerikanë janë familje LGBT është zgjedhje e tyre. Që 1.4 miliard biznese janë në pronësi të tyre dhe kanë një fuqi blerëse prej 917 miliard dollar mund të jetë siç shkruani Ju. Kjo tregon shkallën e emancipimit dhe demokracisë në Amerikë. Lexo edhe Biblën, Kuranin dhe libra të tjerë të shenjtë dhe mos ju refero vetëm konventës . Një burrë dhe një grua lindin fëmijë. Një kal dhe një pelë lindin pasardhës. Një pelë dhe një gomar lindin një mushkë, e cila është xanxare por jo riprodhuese. Komuniteti LGBT thua ti "kanë kaq dashuri sa për ta patur këtë familje sa janë në gjëndje të sakrifikojnë gjithçka"," Të japin gjithçka për ta patur". Mos fuqija ekonomike do diktoi?. Mos Ju ngatërroni qëllimisht persona që për arsye të ndryshme nuk janë martuar apo janë divorcuar apo nuk kanë patur fëmijë duke i trajtuar të gjithë si LGBT. Apo Ju vetë keni përfunduar nga Tirana si e birësuar nga një LGBT në Amerikë dhe po na mësoni abc e jetës , të familjes dhe mësimet e Zotit të përcjella ndërmjet profetve dhe librave të shenjtë.

Marsida T. Najdeni09/11/2021 19:45

1. Nuk e di ku gjeni guximin të shkruani broçkulla të tipit: “kur pakica dikton rregullat, demokracia vdes.” ALARMANTE! U lexokan ende librat e Enverit në Shqipëri me ç’shoh. Demokracia është pikërisht e kundërta e kësaj që keni broçkollitur këtu. Demokracia siguron të drejtat e gjithësekujt në mënyrë të barabartë. Kur të drejtat e një minorance shkelen dhe nuk zbatohen për t’i krijuar mirqënien njëlloj si shumica, kjo nuk është demokraci, por diktaturë, që përpiqeni me broçkulla në këtë status ta tjetërsoni e të na e shisni për të drejtë. Jo!
2. Kur një minorancë e caktuar, në këtë rast kërkon të drejtën për të patur familje, kjo absolutisht nuk do të thotë se ata po kërkojnë t’ju heqin ju apo dikujt tjetër këtë të drejtë. Pse e paraqisni sikur po ju rrezikojnë familjen ju? Absolutisht jo! Pse e shikoni kaq të nevojshme të broçkullitni duke sajuar gjëra të tipit “agjenda anti-familje”? Jeni pikërisht ju dhe personat si ju që po paraqiteni si anti-familje, duke i penguar një minorance të drejtën e tyre për familje. Përfshirja e të gjithë njerëzve në të drejtën për të pasur familje e forcon institutin e familjes. Dhe jo e kundërta që me disa citime, të cilat me dashje i nxirrni nga kuptimi i tyre fillestar, përpiqeni të merrni ca likes duke ndërhyrë në mënyrë anti njerëzore me jetët private të shtetasve të tjerë, që jetojnë ndryshe nga ju, por që nuk janë më pak se ju.
3. Në Amerikë ka rreth 1 milion familje LGBT (households), jo persona, por familje. Këto 1 milion familje rrisin diku +200mijë fëmijë. Nuk i ka penguar amerikanët e tjerë jo LGBT në familjet e tyre e drejta e minorancës. Dhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend me 1 milion familje LGBT për bukuri po jetojnë e po ndërtojnë familjet e tyre. Sepse e drejta e pakicës nuk i cënon fare. Prandaj teza juaj është e rremë. Shteti numër 2 në Amerikë me komunitetin më të madh LGBT është Texas. Një shtet konservator, republikanë, ultra fetarë (rreth 29 mijë kisha), me një traditë të gjatë të spektrumit të djathtë, e prap kanë mirësinë shpirtërore që këtë minorancë ta lenë të jetojë në kushte të barabarta. Po mirësia apo dashuria juaj njerëzore ku është fshehur?
4. Në çfarë artikulli e keni marrë këtë citat nga Konventa? Citati se familja qenka veç midis një burri e gruaje? Paraqisni direkte këtë citat me kapitull, artikull, numër faqe etj. Unë e kam studiuar këtë dokument dhe kërkund nuk kam lexuar të thotë se familja qenka vetëm midis një burri e gruaje.
5. Meqë paske përmendur Milton Friedman, i cili specifikisht është shprehur kështu “unë nuk besoj në diskriminimin e gayve”.
Këtë citim e gjeni tek "Milton Friedman". ldp org Liberal Democratic Party (Australia). 2009.
Ndërsa për anën ekonomike mjaft lehtë e kupton se komuniteti LGBT është mjaft fitim prurës për kompanitë. Shto këtu që 1.4 milion biznese vetëm në Amerikë janë në pronësi të personave LGBT. Fuqia blerëse e këtij komuniteti në Amerikë është shumë e madhe sepse në ndryshim prej vendeve si Shqipëria ku këta njerëz nuk u jipet punë, në Amerikë kanë punëra të mira. Jo më kot sot kompanitë multi miliardere kanë marrë një politikë pranuese karshi këtij komuniteti sepse e dinë fuqinë ekonomike. Në 2017 forca blerëse e LGBT në Amerikë ishte $917 miliardë. Dakort?
6. Futeni në kokë ju dhe kushdo tjetër që nuk po cënon askush familjen. Madje kanë aq shumë dashuri për ta patur këtë familje sa janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka. Të japin gjithçka për ta patur. E pra, nqse kjo nuk është dashuri dhe dëshirë nuk mund të jetë kurrësesi urrejtia juaj simboli i mirësisë. A e themi dot për ju këtë? A jeni ju në gjendje të sakrifioni e të luftoni kaq shumë sa këta njerëz për familjet e tyre? Ama të luftoni armikun e vërtetë dhe jo këta të pafajshëm.

krasasi tp09/11/2021 13:31

Qeliza është tulla e jetës.Një anomali në qelizë shkakton kncerin. Nga qeliza në qelizë metastazat pushtojnë krejt organizmin. Njeriu vdes. Kështu ndodh edhe me shoqërinë njerëzore. Familja është 'qeliza' e shoqërisë. Godit familjen, e ke plasaritur godinën shoqërore. Propogando perversitetin në televizion, në botimet shkollore, në rrjetet sociale e ku të mundesh, ngri kultin e devijancave seksuale, mundohu që përjashtimin ta bësh rregull, dhe përfundimi dihet. Kotësia e jetës,indiferentizmi për çka ndodh rreth teje, mëndjelehtësia,ekstremizmi e dhuna, grykësia e pangopsia, krimi e korrupsioni, janë produkte neto , ricikloi këto nga një brez te tjetri dhe kanceri shoqëror përparon. Opinioni publik dhe politika duhet ti kthehen vlerave konservatore të familjes. Pa denigruar pakicat ,pa i persekutuar ,respektim i të drejtave civile, ligjore dhe themelore ,por pa i paraqit si model drejt të cilit duhet marrë shëmbull dhe transformuar familja dhe shoqëria. Bëj një investigim z.Gazetar dhe analizo nëse mundesh, se sa është numuri i divorceve në Tiranë, kush janë shkaqet dhe analizo se në çfarë raportesh janë emisionet televizive, rrjetet sociale apo portalet që propogandojnë lakuriqësinë dhe perversitetin dhe sa vlerat e familjes, nevojat e njeriut dhe shoqërisë drejt grogresit.

Shto koment

Denonco