Dëshpërues fakti sa pak e njeh Basha, PD-në

Dëshpërues fakti sa pak e njeh Basha, PD-në

Nga Nga Armand Maho - 08/11/2021

Pjesëmarrja e pazakontë e të rinjve të FRPD në foltoren e Berishës ishte një mesazh i qartë për Lulzim Bashën.

Në atë medium kishte shumë nga ata që ndoshta nuk e kanë përjetuar fare qeverisjen e 2005-2013 për shkak të moshës. Nuk kanë pasur as poste dhe as privilegje. Kanë qenë duke jetuar fëmijërinë e tyre.

E megjithatë, të rinjtë pjesëmarrës atje janë motori që vë në lëvizje aksionet më të mëdha të asaj partie. Protestuesit e vijës së parë, të cilët jo pak herë kanë provuar dhe shijen e prangave dhe represionit. Janë trokitja e çdo dere. Ata që i japin shpirt dhe entuziazëm fushatave, me një forcë që s’mund ta bëjë asnjë spin doctor apo analist që ai ndërsen në studiot e pushtetit ndaj çdo zëri kritik ndaj kryetarit. Që si pak bashkëmoshatarë të tyre lenë qejfet rinore për t’iu bashkuar kauzave (fatkeqësisht shumë herë të dështuara, dihet se për faj të kujt).

Janë ata që vuajnë më së shumti mungesën e shpresës, megjithëse nuk duan të largohen nga vendi. Ata të cilët e shohin qartazi se jetojnë në një vend ku pushteti se për gjë t’i diskriminojë për bindjet qofshin këto politike apo sociale. Me prindër të lodhur deri në asht që rropaten për t’i siguruar nevojat e tyre sepse vetë e kanë të pamundur. Teksa shohin se si trishtimi nga frika e largimit të bijve, ka zënë vend tek sytë e nënave, baballarëve e gjyshërve, natyrisht i ligsht shpirtin.

Humbja e zgjedhjeve të prillit ishte një zhgënjim i madh. Katër vitet e tjera të rinisë duhet t’i jetojnë nën regjimin që ka ngritur shpura e Ramës. Katër vjet të tjera ata duhet të durojnë Erjon Veliajn me broçkullat për kryeqytetin e rinisë që e ka shndërruar në monstër betoni. Duhet të durojnë Elisën që ka hequr rrobat e leckosura të përvuajtshme të kohës së “Mjaftit” për look-n ekstravagant që i ka siguruar korrupsioni i Rilindjes. Duhet të durojnë se si me zërin cingëritës, ajo thur elozhe për “Skënderbeun” dixhital.

Janë të detyruar të jetojnë në një vend me fëmijët injorantë të miqve të pushtetit, të veshur në flori teksa mburren sa andej-këndej me vilat në bregdet, me makinat e shtrenjta dhe me vjedhjen që i bën taksave Ati hajdut nën bekimin e shefit kryeministër.

Natyrisht ata nuk duan që t’u vijë turp nga ndershmëria e prindërve të tyre. Përkundrazi janë krenarë, ndaj dhanë shpirtin në zgjedhje. Ai zhgënjim që morën nuk kalon dot aq thjesht.

Prandaj ata ngritën zërin. Sepse kërkuan dhe kërkojnë të dinë se ku përfundoi aspirata e tyre, premtimi se regjimi do të rrëzohet, çfarë do bëhet me ta?

Në vend të përgjigjes morën ndëshkimin e Lulzim Bashës. Si “mirënjohje” sot ai kërkon t’i përzërë nga streha ku ata u rritën. Aty ku me njëri-tjetrin ndiznin dritën e tyre të shpresës. Është gabim i madh të harrohet se ata janë bijtë e atyre që në 90-tën u ngritën kundër diktaturës. Në atë parti kaluan fëmijërinë. Nuk erdhën si kryetari aktual direkt në majë të Olimpit, por ndoshta ishin dhe foshnja motake që gjumin e bënin në krahët e prindërve në protestat gjatë opozitës së vështirë të Sali Berishës... Po po, atëherë kur Basha ekzistonte vetëm në defterët e George Sorrosit si student burse në Hollandë. Në rast se kryetari nuk i ka parë, le t’i hedhë një sy arkivave.

Por në rast se nuk e di po ia themi se mosnjohja e PD-së është dhe arsyeja kryesore se përse nuk do të bëhet kurrë kryeministër. Në këto16 vjet që kur ka ardhur ai nuk arriti të kuptonte se një parti e ngritur mbi idealet që rrëzuan diktaturën nuk vendoset dot nën diktat. Kjo sepse, pushtetin nuk e fitoi kurrë vetë por ia servirën. Me parazitizmin dhe arrogancën e pakuptimtë nuk denjoi kurrë të dinte çmendojnë pronarët, të përndjekurit, bizneset. I thërriste vetëm kur i duheshin atij por ama kur atyre i duhej kryetari ai nuk ishte kurrë. Se kuptoi asnjëherë se ka të bëjë me një anëtarësi konservatore dhe një elektorat dinjitoz dhe kapriçioz që s’mund ta trajtosh si tufë delesh. Shansin e jetës që i dhanë demokratët preferoi ta këmbente me interesa të vogla dhe okulte

Për këtë dhe shumë të tjera ata të rinj ngritën gishtin drejt fajtorit.

Është pranuar gjerësisht tashmë me zë apo në heshtje se katapultimi i Bashës në krye të PD ishte një gabim që po i kushton shumë të djathtës shqiptare. Sepse e djathta është bindje të cilën Basha nuk e ka as si kulturë familjare dhe as si formim individual. Ajo ose mëkohet  nga tradita familjare ose përftohet në kohë dhe formim. Basha s’e ka pasur atë fat. Kjo shihet qartë dhe ndihet në eter që nga veprimet dhe mënyra se si sillet. Të djathtën duhet ta ndjesh në lëkurë.

Sali Berisha mund të ketë shumë kritizerë. E pranojmë dhe faktin se mund të ketë gabimet e tij. Por askush s’e mohon dot faktin tjetër se në sjellje, diskurs, veprime dhe qeverisje është tipik i djathtë. Interesi kombëtar, fryma, vendosmëria, marrja e përgjegjësive, besimi që jep dhe merr nga njerëzit janë ato që sjellin turmat e njerëzve në foltoren e tij.

Është e dhimbshme ta mendosh që Lulzim Basha  ka ndenjur kaq kohë krah tij dhe s’ka mësuar asgjë. Tani s’kemi më kohë të presim që Basha të mësojë lidershipin.

Në këto kushte është shndërruar në domosdoshmëri largimi i tij nga ai post. Do bënte mirë mos i mahis më shumë gjërat. Në rast se i është sadopak mirënjohës asaj force politike dhe atyre njerëzve që vetëm i mori pa i kthyer asgjë mbrapsht, duhet t’a bëjë shpejt... Basha e ka humbur mbështetjen e të gjithëve thuaj. Aq më pak e ka mbështetjen e të rinjve dhe zëvendësimet që ai kërkon t’i bëjë kupolës së FRPD me rrethin e tij të biznesit nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e thellojnë hendekun. E ka në dorë të shpëtojë ndoshta atë pak nder që i ka mbetur përpara Kuvendit të 11 dhjetorit. Natyrisht aq sa mund të shpëtohet!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana08/11/2021 17:45

Nje nga gabimet e renda politike te doktorit pas vitit 1997 , duket se paska qene futja , ose me mire me thene Hedhja me parashute e lulit drejt zyres se tij nepermjet te " propozimit " te dy kandidaturave per karriken e tij ne vitin - 2013 ....???!!!

altini08/11/2021 09:43

Vetem tipik i djathte nuk eshte dhe nuk ka qene Sali Berisha. Mjafton ligji i tokes dhe kembengulja e tij per tu dhene vetem gishtin e mesit pronareve. Ka qene mjaftueshem ne pushtet dhe me pushtet per ta rregulluar ne favor te pronareve, por nuk e beri duke i mbetur besnik motos “toka i takon atij qe e punon”. E djathte ju duket kjo? E djathta mbeshtet fort iniciativen e lire, biznesin e vogel dhe te mesem. Keta oligarket e sotem jane pjella e qeverisjes se Berishes dhe thjesht nderruan ane pas 2013 per ti shumefishuar parate e tyre. Me kete nuk dua te them se Basha eshte i djathte, se dhe ky ka 8 vjet qe flet vetem per te varfrit, per ata qe kur vjen puna e shesin voten per nje thes miell tek ai qe i ka zhytur ne varferi.
Berisha ka nje histori te rendesishme ne PD, por nuk eshte pronari i saj e aq me pak i se djathtes historike shqiptare.

Shto koment

Denonco