Rënia në pikiatë e presidencës së Joe Biden

Rënia në pikiatë e presidencës së Joe Biden

Nga Freddy Gray - 07/11/2021

Kush mund t’i vërë faj Presidentit Biden për dremitjen në samitin COP26 të hënën? Ishte një mërzi e përmasave astronomike: deklaratë hapjeje pas deklaratë hapjeje, folës pompoz pas folësi pompoz, që këmbëngulnin se koha për fjalë në lidhje me ndryshimet klimatike ka mbaruar. Tani është koha për... gërhitje. Ishte një mrekulli që një lider 78-vjeçar, nën efektin e ndryshimit të brezave orarë, i mbajti sytë hapur për aq sa mundi.

I shkreti Joe! Shumë rrëmujë ka në kokë. Nuk ka mbushur ende vitin në detyrë por presidenca e tij është bërë tashmë një katalog krizash. Të martën, teksa President qëndronte në foltoren e samitit duke qortuar pafuqishëm Kinën e Rusinë për mungesën e tyre, një tjetër katastrofë po i ndodhte në shtëpi. Partia Demokratike humbi qeverisjen lokale në Virginia, zgjedhje të para gjerësisht si testi i parë i madh për temperaturën politike të erës Biden. Virginia perceptohet përherë e më tepër si territor Demokrat. Vjet në këtë kohë, Biden e mundi Donald Trump me dhjetë pikë në këtë shtet, kështu që rezultati duket shuplakë.

Muajin e kaluar, teksa sondazhet ishin në ekuilibër, Biden vendosi të investonte në garë kapitalin e tij politik. Ai u bashkua me kandidatin Demokrat Terry McAuliffe në fushatë dhe u përpoq të etiketonte sfiduesin Republikan Glenn Youngkin si ujk me lëkurë deleje. ‘Ekstremizmi mund të vijë me buzëqeshje dhe jelek me lesh deleje’, tha.

Ndërhyrja e Bidenit vetëm sa e përkeqësoi situatën e keqe të Demokratëve. I veshuri me jelek Youngkin pa dyshim që nuk ishte ekstremist. Ai ia doli me sukses të shkëputej nga trumpizmi bruto. Ai gjithashtu zgjidhi për të luftuar një luftë kulturash dhe fitoi. Ai e shndërroi arsimimin, si dhe etjen e Demokratëve për trushplarjen e fëmijëve me teorinë kritike racore në shkolla, në një kushtrim për bashkim. Kundërshtari i tij idiotësisht tha se mësuesit dhe jo prindërit duhet të vendosin se çfarë mësojnë fëmijët. Duke shfaqur edhe më pak zgjuarsi, Shoqata Kombëtare e Bordeve të Shkollave kërkoi që prindërit protestues duheshin hetuar për ‘terrorizëm të brendshëm’. Në këtë mënyrë, zgjedhjet në Virginia u bënë një betejë ‘e kombëtarizuar’ midis familjeve amerikane dhe elitës hiper-progresive të Bidenit. Fituan familjet.

Është e kotë të lexosh me tepricë në rezultatin e Virginias, edhe pse Demokratët dhanë pak edhe në gara të tjera. Megjithatë, duke parë drejt zgjedhjeve mes-sezonale më 2022 e përtej tyre, tabloja është tepër e zymtë për Biden dhe Demokratët.

Amerika është shumë më e madhe se Virginia. E megjithatë, popullariteti i Bidenit është zhytur në gjithë vendin. Miratimi i punës së tij ka rënë qëndrueshëm që kur mori detyrën, nga 55% në janar në 43% sot. Ai nuk është aq jopopullor sa paraardhësi i tij në këtë fazë të presidencës, por popullariteti i Trumpit në tërësi e mori veten duke u ngritur nga një bazë e ulët. Biden duket se po shkon vetëm poshtë. Dhe asnjë president i pasluftës nuk ka rënë me kaq shpejtësi.

Numri i amerikanëve që mendojnë se vendi i tyre është në rrugën e gabuar ka shkuar 71%. Të rinjtë po e braktisin Biden: puna e tij miratohet nga 43% e 18-24-vjeçarëve, rënie me 20 pikë që nga qershori. Ndoshta më alarmuesja për Demokratët, sondazhi i fundit i NBC zbuloi se Republikanët tani kanë një avantazh me 18 pikë nga rivalët në lidhje me ekonominë. Ky është hendeku më i madh që më 1991, kur sondazhi nisi të bënte këtë pyetje.

Amerikanët mendojnë shumë për paratë dhe janë kuptueshëm të shqetësuar për atë që Biden po i bën universit financiar. Ai erdhi në fuqi duke iu premtuar ‘rikthimin e shpirtit’ të vendit të tyre përmes shpenzimeve bujare qeveritare. Çfarë mund të shkonte keq?

Paketa të shumta triliona-dollarëshe u paraqitën në Kongres. Amerikanët nuk e kishin problem në fillim. Njerëzve u pëlqen të marrin çeqe të mëdha stimuluese. Media përshëndetën programin e Bidenit ‘Build Back Better’ (Të ndërtojmë sërish më mirë) si përgjigjja e shekullit 21 për ‘Marrëveshjen e re’ (New Deal) të Franklin Delano Roosevelt. Por Biden ishte dukshëm i paqartë për mënyrën se si qeveria do të paguante për të gjitha – përveç këmbënguljes së tij që dy milionë amerikanët që fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit duhet të taksohen më tepër. Tani ‘Të ndërtojmë sërish më mirë’ është bërë ‘Të shembemi sa më shpejt’ teksa ekzekutivi po i sheh më qartë realitetet politike dhe fiskale. Një krizë e zinxhirit të furnizimit po shkakton pengesa në të gjithë Amerikën dhe në botë. Inflacioni po kafshon më fort në Amerikë se sa në Britani dhe institucionet janë në panik. Rezerva Federale pritet që këtë javë të ‘reduktojë’ programin e saj të madh stimulues të blerjes së bonove. Administrata Biden shpreson që sapo paketa e infrastrukturës prej 1.75 trilion dollarësh të kalojë në Kongres, humori i publikut do të ndryshojë përsëri në favor të tyre. Por shpenzoni, shpenzoni, shpenzoni nuk është gjithmonë strategjia më e arsyeshme politike. Demokratët janë grindur rreth projektligjit dhe Republikanët kanë bërë një punë të mirë për ta paraqitur veten si zëri i shëndetit ekonomik.

Megjithatë, forca e Bidenit është dobësia e opozitës së tij. Me përjashtime të dukshme si Youngkin, Republikanët vazhdojnë të të përçarë pa shpresë mbi identitetin e tyre. A janë post-Trump këto ditë? Duke marrë të mirëqenë që Trump duket pothuajse i sigurt se do të kandidojë për zgjedhjet parapraket në parti për zgjedhjet presidenciale 2024 dhe ka shumë gjasa të fitojë, kush dëshiron ta drejtojë Partinë e Vjetër të Madhe në një drejtim tjetër të ri? Edhe nëse Trump u zhduket si me magji, si mund t'i drejtohen Republikanët bërthamës së tyre trumpiste, e cila beson se zgjedhjet e fundit presidenciale u vodhën, si dhe votuesve më pak fanatikë partiakë të cilët iu duhen për të fituar? Ka një arsye pse zyrtarët e lartë Demokratë e përmendin Trump sa herë munden.

Prapëseprapë, çfarëdo të thuhet për gogolin e frikshëm nuk mund ta fshehë kryeproblemin e Demokratëve, i cili është vetë Kryekomandanti i tyre. Është mosha, njerëz. Demokratët ende mund t'i mohojnë si thashetheme keqdashëse zërat për sklerozën e tij. Por nuk janë gazetarët e krahut të djathtë ata që pyesin me zë të lartë për shëndetin e tij. Të gjithë pyesin. Biden po shkon 80 vjeç, ka kaluar dy aneurizma në tru, dhe shpesh duket se nuk e ka idenë se ku është apo çfarë po bën. Ai mund ta çojë deri në fund një fjalim, me zi, por mënyra se si ekipi i shtypit e mbron nga seancat e vështira me pyetje-përgjigje është shndërruar nga objekt shakaje midis gazetarëve në Washington në burim shqetësimi ndërkombëtar.

Kohët e fundit ai kaloi një event me Anderson Cooper të CNN pa ndonjë keqfunksionim madhor mendor. Megjithatë, e pati një moment reaktiv. I pyetur për inflacionin, Biden befas mori një pozë të çuditshme, duke ngritur grushtat para vetes dhe qëndroi pa lëvizur për rreth 15 sekonda. Po ashtu bëri edhe atë rutinën e çuditshme të pëshpëritjes, duke folur me zë të ulët pa asnjë arsye të dukshme.

Më domethënëse është ndoshta këmbëngulja e ekipit të tij për të treguar se ai nuk ka probleme. Zëdhënësit e tij tregojnë se sa i përqendruar është Presidenti te detajet më të imta politike, çka shpjegon se në të vërtetë nuk ka as idenë më të mjegullt se çfarë po ndodh. ‘Kur e pashë Presidentin dje, ai nuk ishte thjesht zgjuar. Ishte zjarr fare’, tha të martën këshilltarja për klimën në Shtëpinë e Bardhë, Gina McCarthy, ndonëse askush nuk e pyeti për dremitjen e Biden në Glasgow.

Nëpër botë ekziston ndjesia se Biden nuk është mirë. Ai ka probleme ndershmërie para atyre të kujtesës, të cilat i errësojnë strategjinë. Për shembull, sipas raporteve, amerikanët, australianët dhe britanikët kishin rënë dakord të gjithë që australianët duhej t’i jepnin lajmin e keq Francës për anulimin e marrëveshjes franko-australiane me vlerë 45 miliard paund për nëndetëset, më 16 shtator, ditën kur u njoftua pakti Aukus. Megjithatë, pasi takoi Presidentin Emmanuel Macron në Romë javën e kaluar, Biden tha se kishte një si ndjesi që diplomacia rreth Aukus kishte qenë e ngathtët. ‘Pata përshtypjen se Franca ishte informuar prej kohësh që marrëveshja nuk do të realizohej, për Zotin’, tha Joe. Ishte djallëzi apo konfuzion – apo të dyja bashkë? Mos po e hidhte në rrotat e autobusit Australinë? E kishte harruar marrëveshjen? Apo këshilltarët për sigurinë kombëtare ia kishin fshehur?

Një ‘amnezi strategjike’ e tillë mund të jetë e dobishme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe votuesit amerikanë mund të ishin optimistë nëse do të besonin se, pasi këndon këngëtari i çuditshëm që hap koncertin, shfaqja e administratës Biden do të ishte e shkëlqyer, e elektrizuar, dinamike. Provat tregojnë vazhdimisht të kundërtën. Zëvendëspresidentja Kamala Harris, për të cilën shumë mendojnë se do të zëvendësojë Biden, nuk ka probleme kujtese si ai, por është po aq pa tru dhe shumë më tepër e papëlqyer. Ajo është ngarkuar për zgjidhjen e krizës së emigracionit në kufirin jugor – një shfaqej e varfër, pa dyshim. Por ajo ka bërë gafa dhe gabime të panumërta. Administrata tani është duke u rikthyer në taktikat e kohës së Trumpit për të ndaluar hyrjen e paligjshme në SHBA, duke nxitur ata me fat që ia dalin me çmime të mëdha parash.

E qeshura e Harris, të cilën ajo e përdor shpesh, njihet gjerësisht si zhurma më acaruese në Amerikë. Një video e saj duke folur me zhgënjim histerik me disa aktorë fëmijë për mrekullitë e hapësirës u bë virale për të gjitha arsyet e gabuara. Nëse ajo është kamerdarja e shpëtimit në rast se Biden nuk funksionin, atëherë Demokratët duhet të kenë makthe për 2024-ën.

Kalbja e trurit që u përhap në të gjithë administratën filloi të bëhej e qartë – të paktën për personat jo obsesivë – në gusht, kur Biden tërhoqi Amerikën nga Afganistani. Kjo ishte për të ardhur keq, pasi një shumicë e madhe mbështeti përfundimin e konfliktit 20-vjeçar. Por amerikanët e panë tërheqjen e dështuar si poshtëruese. Media e establishmentit, që deri atëherë ishin jargavitur për gjithçka që bënte Biden, befas u kthyen kundër heroit të tyre. Që atëherë gjithçka mori rrokullimën. Nga gushti, Covid filloi të përhapet përsëri, programi i vaksinimit u ngadalësua dhe numri ditor i vdekjeve u rrit përsëri në pothuajse 3000. Ndërkohë, vaksinimi i detyruar u kthye në bumerang.

Në vend që të trajtojë këto emergjenca të shumëfishta, qeveria e Biden ka zgjedhur të zhytet në një aktivitet gjithnjë e më të çmendur progresiv. Ndërsa misionarët amerikanë mbaheshin peng në Haiti, Departamenti i Shtetit postonte në Twitter për Ditën Ndërkombëtare të Përemrave. Ndërsa Kina rriti manovrat rreth Tajvanit, Departamenti i Shëndetësisë dhe Sigurisë Kombëtare njoftoi një ‘hap gjigant përpara’ me emërimin e admiralit të parë me katër yje trans-gjinor në Amerikë. Ndërsa kriza e zinxhirit të furnizimit filloi, Shtëpia e Bardhë shpalli një ‘strategji të re gjithëpërfshirëse për barazinë gjinore dhe barazinë’.

Kush votoi për të gjitha këto? Donald Trump dhe ekipi i tij gjithmonë thoshin se Biden do të ishte një ‘kalë Troje’ i të majtës radikale. Por kjo dukej më si shumë propagandë e djathtë. Vitin e kaluar, Biden iu paraqit shumicës së amerikanëve si zëvendëspresidenti i dashur i Barack Obamas, një tip i Brezit të Heshtur, irlandez, i vendosur, katolik dhe dinjitoz. Publiku supozoi se ai nuk do të kishte lidhje me teoritë kritike racore apo çmenduritë trans-gjinore. Dhjetë muaj të presidencës së tij dhe amerikanët e kanë kuptuar e u gabuan për gjithçka.

Marrë nga Spectator.co.uk-Përgatiti: SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco