Kur do të jenë edhe qytetet tona me marina si Budva dhe Dubrovniku?

Kur do të jenë edhe qytetet tona me marina si Budva dhe Dubrovniku?

Nga Shkëlqim Kecaj - 03/11/2021

Fjala kyç e verës që sapo u mbyll është turizmi dhe për vendin tonë bregdeti mbetet destinacioni që tërheq numrin më të madh nga totali i pushuesve. Bregu i Adriatikut me Shkodrën, Lezhën dhe natyrisht Durrësin njihet për frekuentimin sidomos nga pushuesit ditorë dhe ata nga trojet shqiptare.

Brigjet joniane dallojnë për vijën shkëmbore dhe thellësinë, me Vlorën dhe Sarandën si pika kryesore.

Çfarë i bashkon qendrat urbane përgjatë gjithë bregdetit është aksesimi i tyre thuajse ekskluzivisht nëpërmjet rrugëve tokësore. Çdo turist, shqiptar apo nga jashtë vendit, udhëtimin e përfundon me makinë.

N.q.s bëjmë krahasim me vendet e rajonit, shohim se qytetet fqinjë kanë jashtëzakonisht të zhvilluar transportin e njerëzve në rrugë detare. Mjafton të bësh një udhëtim të shkurtër në Malin e Zi, për të parë se Budva, apo dhe qytete të tjera, janë të mbushura nga jahte apo mini jahte, që lundrojnë të parkuara me rregull dhe qetësisht buzë shëtitoreve, ku shëtisin mjaft këmbësorë çdo ditë të vitit. Mali i Zi ka dy porte madhorë dhe disa marina të standardeve botërore, të cilësuara edhe si nga më të tërheqëset në Adriatik.

Kroacia është gjithashtu në pararojë të turizmit të lundrueshëm, me bregun kroat që numëron një rrjet prej mbi 50 marina. Qindra oferta detare u jepen turistëve, për të shëtitur nga një ishull te tjetri, në shtetin ballkanik, që prej disa vitesh është bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Për mos të folur për qytetet apo ishujt e Greqisë, ku aventurierë të shumtë të moshave të ndryshme, jetojnë të parkuar në varkat apo anijet e tyre, me javë apo muaj të tërë, buzë porteve apo shëtitoreve të qytezave përkatëse, duke i vizituar ato njëra pas tjetrës.

Metropolet dhe vendet më interesante arrihen nëpërmjet dhjetëra anijeve të madhësive të ndryshme. Kjo mund të konsiderohet edhe një mënyrë si ne mund të shtojmë fluksin e turistëve, si një motor i rëndësishëm gjenerues të ardhurash dhe punësimi të qëndrueshëm.

Ndërkohë që Shqipëria duket se ka mbetur pneg vetëm i xhirove me jet-ski (motorë uji), apo i motoskavefe që brenda ditës shoqërojnë pushuesit nga një plazh në tjetrin, pra një lloj turizmi i përmasave tejet më modeste.

Duke ndjekur shembullin e rajonit, mbase ka ardhur momenti që t’i bëjmë qytetet tona të hapura ndaj udhëtimeve ujore. Aktualisht portet ekzistuese bashkojnë aktivitetin industrial me transportin e pasagjerëve dhe kryesisht të pasagjerëve që kthehen në familjet e tyre për pushime nga emigrimi. Hapi i parë mund të ishte fokusimi tek njerëzit, si kontigjent i mundshëm për turizëm. Atyre u duhen krijuar kushte për udhëtime të vogla e të mëdha, me shërbime bashkëkohore, çka do të tërhiqte patjetër të interesuar.

Natyrisht oferta e plotë duhet të vazhdojë edhe pasi pushuesi zbret në tokën tonë, por të paktën starti do të ishte i garantuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana04/11/2021 15:32

Jeni shume heret me kete projekt - analize te shkurter per t'u krahasuar me vendet e rajonit ne fushen e turizmit detar per dy arsye :
Se pari vendi yne pas luftes se dyte boterore i hyri rruges se ndertimit te socializmit ne lufte me imperializmin dhe revizionizmin modern duke u mbeshtetur ne Forcat e veta ...???!!! dhe
Se dyti ende sot pas 30 vjetesh se vendosjes se pluralizmit politiko - ekonomik , e me gjithe resurset e jashtezakonshme ne kete fushe , Shqiperia vazhdon te goditet ne vazhdimesi nga renia ekonomike dhe krizat qe e shoqerojne ate nga keqqeverisja dhe boshatisja e vendit e popullsise ne moshe pune aktive ....

cak03/11/2021 20:36

Më habit fakti se si është e mundur që një media e shpallur publikisht si e djathtë, i bën jehonë një shkrimi të tillë, sa naiv aq edhe kontradiktor.
Autori bën një krahasim të pakrahasueshëm midis qytetit mesjetar të Dubrovnikut me vlera të mëdha të ndërtimeve veneciane, e qytetit malazez të Budvës ku sipas tij qënkan ndërtuar porte të mëdha skafesh e jahtesh lluksoze që ndihmojnë për turizmin.
Janë dy qytete krejtësisht kontraste me njeri tjetrin.
Turistët e shumtë që vizitojnë Dubrovnikun, i tërheq ruajtja e mirmbajtja e vlerave të ndërtimeve mesjetare në këtë qytet, ndërsa në Budva kemi investime të fuqishme të firmave edhe miliarderësh rusë, me një prapavijë politike por edhe të parasë së madhe me burim trafiqet e drogës.
Shkrimi ndërkaq bën thirrje që edhe Shqipëria të ketë një Dubrovnik e një Budva me porte turistike jahtesh, duke përkrahur kështu idetë e Ramës që po e zhduk portin tregtar të Durrësit, për ta kthyer siç thotë ai, në portin më të madh të jahteve në Mesdhe.
Një marrëzi alla Rama.
Dubrovniku vërtetë që ka turistë të shumtë por ai e ka ruajtur trashëgiminë e vjetër të pamjes së një qyteti mesjetar,
Po çfarë do të vijnë turistët e huaj për të parë në qytetin antik mijravjeçar të Durrësit ?.
Ate që lkishte ngelur pa shkatëruar diktatura enveriste, e shkatëroi Gjushi i Ramës.
Do të vijnë turistët me jahte nga Europa e bota për të parë Velierën e Gjushit ?.

Shto koment

Denonco