Aleatët amerikanë të Berishës

Aleatët amerikanë të Berishës

Nga Astrit Veliaj - 30/10/2021

‘Going public’ është një mënyrë e hershme e lidershipit presidencial amerikan, për të tejkaluar kulisat politike të Washington-it dhe për të gjetur mbështetje tek njerëzit, mediat dhe aktorët e pastër të shoqërisë, në promovimin e ndryshimeve me interes kombëtar. Këtë rrugë ka zgjedhur edhe Sali Berisha, e bashkë me mbështetjen e opinionit publik dhe medias së lirë shqiptare, po merr mbështetjen edhe të medias amerikane.

Së fundmi, The Washington Times, një ndër mediat më të besueshme në Capitol Hill, që ndër vite ka mbështetur vlerat amerikane të lirisë, besimit dhe familjes, si dhe politikat e presidentëve Reagan, Bush e Trump, ka pasqyruar me vërtetësi edhe non-grata-n e çuditshme ndaj Sali Berishës, këtij miku besnik të Shteteve të Bashkuara, në Europën Juglindore. Dy gazetarët me përvojë në politikën amerikane dhe çështjet ndërkombëtare, Guy Taylor dhe Joseph Clark, krahas një pasqyrimi të qëndrimeve të ish-kryeministrit Berisha, evidentojnë mungesën e përgjigjeve nga ana e sekretarit Blinken dhe përfaqësuesve të Sorosit, habinë për vendimin nga ana e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, që merren me Europën.

Internacionalja Socialiste funksionon mirë këtej dhe andej Atlantikut, por e vërteta reziston përmes lidershipit të fortë e të principtë, përmes njerëzve dhe medias së lirë. Sa herë sulmohesh me pa të drejtë nga nëntoka e politikës zgjidhja mbetet trajtimi i çështjes në publik. Nëse ka një gjë që i tremb më së shumti qëniet e errësirës është nxjerrja e së vërtetës në dritë. Gjykimi i publikut të shpëton nga çdo intrigë. Mbështetja vjen nga të ngjashmit e tu kudondodhen. Ata që kërkojnë të vërtetën, e punojnë me profesionalizëm për informimin korrekt të opinionit publik, bëhen aleatët e tu më të mirë, përkrahës të luftës për drejtësi, atdhe dhe zhvillim.

Për Clarence Jones, kriteret e medias amerikane për të vlerësuar të mirët në politikë, qëndrojnë tek morali dhe karakteri i tyre, tek lufta kundër të mëdhenjve të pushtetshëm, idealizmi dhe bindjet e fuqishme që i mbrojnë ato pavarësisht rrisqeve, tek konkurueshmëria e flaktë, prirja të fitojnë pavarësisht pengesave, tek ndërgjegjshmëria për t’u dalë zot gabimeve, tek ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe vlerave të shoqërisë.

Në këtë tipologji hyn edhe Sali Berisha, lideri që thyen çdo barrierë, rend me energjinë rinore dhe maturinë e moshës për të sjellë ndryshimin e pritshëm, që nuk kompleksohet të luftojë me këdo për bindjet e tija, me mendësi fituesi, që ia del në çdo garë. Janë tiparet e atyre që bënë Amerikën e vlerave që ne njohim, e atyre që presin rikthimin dhe mbrojnë të ngjashmit e tyre kudo në botë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco