Fundi i Bashës është edhe fillimi i fundit të Ramës

Fundi i Bashës është edhe fillimi i fundit të Ramës

Nga Bujar Nishani - 05/10/2021

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD të 16 majit 2021, iu deklarova anëtarëve të nderuar të atij Këshilli se: Ka një platformë e skenar të lig të së majtës, për degradimin dhe asgjësimin e plotë të Partisë Demokratike!

Ajo nuk ishte një profeci (profecitë janë për profetët) dhe as ndonjë informacion konfidencial që unë posedoja.

Ishte thjesht një deduksion politik që vinte natyrshëm prej analizës së vendimeve, qëndrimeve, dinamikës dhe rezultateve politike dhe elektorale të Partisë Demokratike përgjatë 8 (tetë) viteve të fundit.

Partia Demokratike ishte bërë më e vogël, e dobët në forcë, pa nervin e vet tradicional, e mbyllur veç në një zyrë, larg anëtarësisë, pa besim te qytetarët.

Thjesht po kthehej në një opozitë e përjetshme.

Pra një dhuratë e çmuar për pushtetin e së majtës.

Sot, kjo e vërtetë e hidhur por e madhe, është kuptuar qartë prej shumicës dërrmuese (90%) të anëtarësisë së PD.

Edhe ajo pakicë që nuk dëshiron ta pranojë këtë të vërtetë të hidhur, thellë-thellë në koshiencën e vet e përjeton atë si të gjithë të tjerët.

Tashmë sfida për të gjithë demokratët është për të mos e lënë më partinë e tyre, peng të kësaj të vërtete të hidhur.

Demokratët kanë një dhe vetëm një objektiv.

Ta sjellin Partinë Demokratike në pushtet!

Ky është edhe interesi publik, më i madhi për Shqipërinë.

Por ky nuk është një proces i lehtë e as i thjeshtë.

Më së pari kërkon rritjen, forcimin, krijimin e besimit të vërtetë prej PD tek shqiptarët.

Kjo do mund të vij vetëm përmes një reforme, bashkimi dhe modernizimi të Partisë Demokratike.

Lëvizja më e fundit që ka nisur është një shpresë e fortë për këtë besim por duket që e ka tmerruar vërtetë (si kurrë më parë në këto 8 vjet) direkt Edi Ramën.

Pushteti i së majtës, që kishte kalkuluar perfekt, asgjësimin e PD, sot po kupton se situata ka marrë një kthesë dramatike. Demokratët po marrin vetë në dorë fatet e partisë së tyre.

Tentativa e pushtetit sot kur sheh se projekti i lig i tij po shkërmoqet, po tenton të sponsorizojë opinionin se lëvizja e z. Berisha do ta përçajë e dobësojë PD.

Kjo lëvizje jo vetëm që nuk mund të prodhojë asnjë përçarje, përkundrazi, do të mundësojë shkundjen e madhe, zgjimin që i duhet asaj partie, bashkimin që ajo meriton, forcimin që i takon!

Largimi i L. Bashës nga drejtimi nuk sjell kurrfarë përçarje.

Me largimin e L. Bashës nga vendimmarrja personale mbi Partinë Demokratike nuk do të thotë se do të largohen të tjerë nga partia.

Ajo parti është pronë politike e të gjithëve. Askush nuk është i tepërt. Shumë më shumë të tjerë janë të nevojshëm.

L. Basha e ka kthyer atë parti në fasadën dhe pengun e E. Ramës.

Shikoni se çfar teatri absurd tenton të luajë L. Basha me demokratët për të fshehur këtë pengmarrje.

Ka kërkuar në Parlament ngritjen e komisioneve hetimore.

Deri këtu në rregull, ajo është një nga format e dinamikës parlamentare.

Por askush nuk kupton se çfarë do të hetojë L. Basha në rastin e çështjes Becchetti?

Atë çështje e ka hetuar dhe gjykuar në mënyrë perfekte Gjykata Ndërkombëtare.

L. Basha duhet të kishte bërë hetim parlamentar për atë çështje në 2015, në 2016, në 2017, në 2018. Nuk bëri asgjë!

Tashmë ka vendim gjykate për atë abuzim.

L. Basha ta dërgojë për ndjekje penale E. Ramën në SPAK!

Nëse SPAK nuk vepron, atëherë L. Basha me të gjithë grupin parlamentar të ulet këmbëkryq përpara godinës së SPAK e të mos lëviz prej aty me ditë, javë e muaj derisa SPAK të hetojë e dërgojë dosjen në gjykatë.

Nuk ka nevojë për spërdredhje !

Hetimi parlamentar bëhet për ato raste kur pushteti pengon të marrësh të dhëna dhe fakte për skandalet dhe shkeljet e rënda që ka bërë.

Provat e masakrës elektorale janë sheshit. Është e zeza mbi të bardhë për milionat që ka paguar E. Rama duke abuzuar në emër të tërmetit.

Janë të zeza mbi të bardhë emërimet në administratën publike në funksion të zgjedhjeve.

Është publike çdo praktikë dhe listë e abuzimit me ndihmën ekonomike.

SPAKU refuzon hetimin e patronazhistëve.

Pse nuk shkon L. Basha me deputetet e PD të protestojë përpara SPAK?

Nëse L. Basha do vërtet të hetojë përmes parlamentit afera për të cilat ende nuk janë mundësuar prova e fakte konkrete, të kërkoi hetimin parlamentar të taksës tek Rruga e Kombit. Si është dhënë ai koncesion? Sa para janë mbledhur prej tij deri tani ? Sa prej tyre janë investuar në mirëmbajtjen e asaj rruge ? Të shkojë komisioni atje në terren e të hetojë investimin.

Të kërkojë hetimin parlamentar të aferës tek Porti i Durrësit. Si është dhënë ai koncesion? Kush bën investimin kontraktual e nën/kontraktual? Çfarë impakti ka në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare ?

L. Basha duhet të kërkonte komision hetimor parlamentar për lejet e ndërtimit të kullave të dhëna në Tiranë në këto vitet e fundit. Kush i ka marrë? Çfarë burimesh financiare kanë investitorët e këtyre kullave? Sa taksa kanë paguar ata në buxhet ?

L. Basha nuk ka vullnet të bëjë hetime reale parlamentare.

Ka veç hallin t’i fshihet dëmit madhor që i ka shkaktuar PD.

Ndaj sponsorizuesit e tij politik të mos përpiqen më kot të qajnë hallin se lëvizja për bashkim dhe forcim të PD do të përçajë PD e prej saj PD do të humbasë shumë!

Prej largimit të L. Bashës nga kreu i PD do të humbasë vetëm L. Basha dhe sponsorizuesit e tij. Askush tjetër!

Fundi i L. Bashës në drejtimin e PD është edhe fillimi i fundit të E. Ramës në drejtimin e Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana05/10/2021 15:00

Pse nuk i tha keto fjale edhe kunder qeverise (me kete inat qe paska patur ndaj Bashes ) , kur ishte president apo qofte edhe ish kryetar e keshillit kombetar te PD-se .....; siç duket po priste qe PD-ja te humbte zgjedhjet , apo edhe ky paska qene i dhunuar nga Basha ....???!!!

Shto koment

Denonco