Reagimi ndaj padrejtësisë, një histori e trishtë

Reagimi ndaj padrejtësisë, një histori e trishtë

Nga Sokol Shameti - 20/09/2021

Teksa shikon nisjen e vrullshme të tubimeve të revoltuara të Sali Berishës në qytetet e Shqipërisë, të pasuruara me një fjalor të zjarrtë ku shigjetohet padrejtësia e vendimit amerikan dhe pabesia e Lulëzim Bashës, është e vështirë të mos ndjesh sidokudo, empati.

Po. Ky është një reagim i përligjur i dikujt që ndjen se i kanë rënë në qafë dhe kanë prerë në besë e kushdo që do ta ndjente veten të prekur kësisoj, kësisoj do të vepronte (e madje do të vepronte kësisoj edhe ai që do të donte ta shfaqte veten si të prekur, por kjo është një çështje tjetër).

I gjithë ky inkursion peripatetik, ngjan me një lëvizje reaktive, një reagim emocional e pasionant ndaj padrejtësisë. Një veprim që organizatorët qartazi nuk do të kishin dashur ta bënin, mirëpo u shtynë deri këtu si boksieri në kënd, e tanimë kurrfarë politese e korrektësie s’bën më sens, ngase nëse tregohet një dobësi e tillë, nuk do të ketë më vonë as boksier i cili do të mund të korrte frytet e korrektësisë e politesës së vet.

Mirëpo fatkeqësisht për një kohë bukur të gjatë, historia e trishtë e reagimit ndaj padrejtesisë në Shqipëri, është shoqëruar nga disfata shumëplanëshe. Sigurisht pas zhurmës së fillimit, që ndonjëherë e ka zënë ushtruesin e padrejtësisë edhe të papërgatitur, prapëseprapë, autoriteti i së padrejtës e ka marrë veten, është organizuar, ka marrë masat dhe padrejtësia e pezulluar është vënë në vend.

Shqipëria është si rezultat një vend jo thjesht nën padrejtësi permanente, por gjithashtu një vend ku të kryesh e të ushtrosh padrejtësi është vazhdimisht e mundshme dhe e thjeshtë.

Nëse pësuesi i padrejtësisë është siç mund të merret me mend në shumicën e rasteve publiku, anonimi, i pashquari në trajtën e të papushtetshmit politik ose ekonomik, ushtruesi i padrejtësisë është i përveçmi, i mirënjohuri, i veshuri me pushtetin politik ose ekonomik të momentit, si dhe agjencitë publike të blera e përdorura prej tij, si qeveria, diplomacia, policia, drejtësia, arsimi etj.

Rasti përjashtimor i Berishës, është njëherazi edhe një sprovë e efikasitetit të padrejtësisë në këtë vend: a ka arritur ajo në fazë të tillë sa të ushtrohet edhe ndaj të pushtetshmit e të përveçmit? Apo Berisha është tani një i papushtetshëm si shumëkush e kësodore edhe subjekt i kuptueshëm padrejtësie?

Ekziston edhe një mundësi e tretë, që këtu të mos kemi të bëjmë fare me ndonjë padrejtësi, por në një rast të tillë, befas i gjithë ky reagim i zemëruar e plot pezm, do t’i përngjiste një spektakli të dyanshëm teprimesh, si ai që përshkruan Roland Barthes tek ‘Mitologjitë’ e tij moderne kur flet për natyrën teatrale të ndeshjeve të keçit. Por sikundër parashtrova kjo është një çështje tjetër, teksa këtu do të synoj të trajtoj raportin e padrejtësisë në Shqipëri me reagimet ndaj saj.

Prej së paku 30 vjetësh, a mbase edhe më shumë, reagimi ndaj padrejtësisë në Shqipëri ka qenë si i thonë fjalës, i marrë ‘në të nxehtë’. Ai ka ardhur kryesisht spontan dhe personal (ose në trajtë shumësish personale). Kjo natyrë e menjëhershme, instiktive gati nervore e reagimit ndaj padrejtësisë, e ka ndaluar reagimin të jetë i armatosur me arsyetim e synime të qarta, me strategji, e rrjedhimisht edhe me taktikat e duhura. Si përfundim, rezultati ka qenë një dështim permanent. Kjo vlen si për akte personale si ato të njerëzve-bombë të viteve ’90, apo kërcënuesve me vetëhedhje nga lartësitë e viteve të fundit, ashtu edhe për iniciativa masive si ajo e kryengritjes kundër firmave rentiere më ’97 apo protestave studentore të 2019. Në fund, të gjitha këto reagime në zanafillën e të cilave qendronte përherë një padrejtësi, kanë përfunduar pa e arritur qëllimin e vet. Ato ose janë shpërfillur, ose janë shtypur, ose janë relativizuar, ose janë shndërruar në diçka tjetër që s’kishte lidhje me synimin fillestar.

Nga ana tjetër, veprimtaritë e partive politike, të cilat gjatë periudhës së opozitës e paraqesin veten si mbartëse të misionit kundërshtues ndaj padrejtësisë, me të ardhur në pushtet me ndihmën e zemëratës së mbështetësve, kanë dëshmuar se misioni në fakt ka qenë jo adresimi i vetë padrejtësisë shoqërore në këtë vend, por thjesht xhelozia se përse kjo padrejtësi po kryhet nga pala tjetër e jo nga ne.

Gjithsesi, veprimtaria politike, e reduktuar në një talent shoë personazhesh partiakë që premtojnë se do të bëjnë drejtësi me të marrë pushtetin, nuk është një reagim ndaj padrejtësisë prej dikujt që e pëson padrejtësinë. Ajo është një përpjekje që bën klasa ushtruese e padrejtësisë për të reformuar dhe për t’ia përshtatur periodikisht infrastrukturën dhe stafin zbatues kësaj padrejtësie.

E njëjta logjikë rigjenerimi e infrastrukturës së padrejtësisë, me iniciator po ashtu askënd nga vuajtësit prej padrejtësive, duket se paraqitet edhe me reformat në sistemin e drejtësisë, përfshirë këtë të fundit.

Reagimi ndaj padrejtësisë pra, i organizuar rrëmujshëm prej pësuesve të saj dhe i kthyer në një imitacion simulues të reagimit ka rezultuar në një padrejtësi që mbretëron e pasfiduar dhe mbizotëruese në Shqipëri.

Që padrejtësia vërtet të luftohet me sukses, reagimi ndaj saj lypset të divorcohet prej urgjencës dhe spontanitetit të çorganizimit. Sa më e madhe e anti-publike padrejtësia, aq më i madh e gjithëpërfshirës duhet të jetë organizimi që do të gjenerojë strategjinë dhe zbatimin e reagimit ndaj kësaj padrejtësie.

Dogma të rrënjosura dinakërisht, si ajo e nevojës për të mos pritur por për t’u hedhur me vrull në zjarr përpara çdo padrejtësie, lypsen refuzuar me maturi. Ky obsesion i përgjithshëm me aksiomën: ‘të veprojmë, s’ka kohë për t’u menduar’ duhet zëvendësuar në këto kohë sikurse sugjeron Zizek me kredon: ‘të mendojmë, ka kohë për të vepruar’.

Një kredo kjo, që mbase vlen për çdo reagim ndaj padrejtësie të ditëve tona.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Antirilindas20/09/2021 17:55

Llogje, as mish as peshk.

Prit edhe pak shiko se nga do të anojë fitorja dhe pozicionohu me fituesin.

Shto koment

Denonco