Lajmi i fundit

EMRAT/ Gjenden të vdekura 2 gra ukrainase në zonën e 'Selvisë'

Mandati i tretë, pushtet për mandatin e katërt, jo për shqiptarët

Mandati i tretë, pushtet për mandatin e katërt, jo për shqiptarët

Nga Vehap Kola - 03/09/2021

Duke dashur të tregojë se sa e organizuar është Partia Socialiste dhe, sigurisht, duke u përpjekur të motivojë socialistët e pakënaqur nga ndarja e posteve, Rama foli nga nënvetëdija e tij kur shpalli ambicjen për mandatin e katërt pa nisur ende të tretin. Këtë ambicje ai nuk e shpalli si produkt i një programi që nëse zbatohet me sukses do të prodhojë mbështetje elektorale për PS-në, por si objektiv i vetëm i mandatit të tretë. 

Ai vërtet ishte përpara socialistëve dhe në një veprimtari partiake, por vendosja e Partisë mbi Shqipërinë ishte e qartë dhe brutale. Nëse krahasojmë fjalimin e Ramës në Asamblenë socialiste me atë të Bashës në Këshillin Kombëtar të demokratëve, kupton lehtë se shqetësimi për mbarëvajtjen e punëve të vendit është shumë më i pranishëm në gjuhën e Bashës. Në një situatë normale, e anasjella do të ishte e vërtetë.

Prej 8 vitesh, Edi Rama ka qëndruar në pushtet duke e shndërruar qeverinë në një ekip elektoral dhe qeverisjen në një fushatë të pandalshme. Duhet pranuar se kjo filozofi nuk është aspak e çuditshme në një kontekst ku vlera qëndrore nuk është përgjegjësia në raport me mundësitë dhe pushtetin, por suksesi personal. Dhe në këtë kuptim, Rama i ka shkuar deri në fund kësaj ideje. Për sa kohë opinioni publik e sheh politikën si një lojë futbolli ku vlerësohet ai që fiton, rruga e kryesocialistit është provuar e duhura.

Në një shoqëri të shëndoshë, qeveritë dhe partitë politikë nuk luajnë futboll për të argëtuar teleshikuesit, por zgjidhen dhe votohen në përputhje me angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të përmirësuar jetët e qytetarëve, familjeve dhe komuniteteve. Megjithatë kjo është një shoqëri të cilën ne nuk ia dolëm ta ndërtojmë kurrë, prandaj nuk ka vlerë të diskutohet më tej.

Të shndërrosh qeverisjen në një fushatë për të fituar një mandat tjetër është lufta për pushtet absolut e shprehur me fjalë të tjera. Përvoja me dy mandatet e para na ka treguar se të bësh fushatë elektorale 24 orë në ditë për 8 vite rresht është krejt e kundërta me qeverisjen e suksesshme. Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara në asnjë sektor të jetës shoqërore e ekonomike. Rritja ekonomike mesatare nuk ka kaluar asnjëherë substancialisht normën e inflacionit dhe pjësa më e madhe e rritjes ka shkuar për një pjesë shumë të vogël të popullsisë, që sot konsiderohen oligarkë.

Në integrimin europian, Shqipëria është aty ku ishte në vitin 2013 kur Rama mori pushtetin. Institucionet janë dobësuar dhe janë shtënë nën kontroll të plotë të grupimit politik Rilindje, një amalgamë e krijuar nga ish-Byroja Politike, ish-Sigurimi i Shtetit, oligarkia ekonomike dhe shoqëria civile përgjithësisht e majtë e vendit. Reforma në Drejtësi po shkon drejt dështimit të plotë, ndërsa vendi nuk ka zhvilluar asnjë palë zgjedhje normale dhe të pranuara. Zgjedhjet lokale të vitit 2019 mbeten akoma në pritje të një gjykimi nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa zgjedhjet fundit parlamentare u prishën, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare.

Popullsia e Shqipërisë është pakësuar sepse rreth 500 mijë shqiptarë, në shumicë të rinj, kanë braktisur vendin nga varfëria dhe pritshmëritë negative për të ardhmen e vendit. Pandemia nuk u menaxhua fare dhe sëmundja i kushtoi vendit të paktën 6000 të vdekur. Mijëra familje vazhdojnë të jetojnë në çadra 2 vite pas tërmetit të vitit 2019 dhe rindërtimi i shtëpive të humbura duket ende larg për shumicën e tyre.

Mbi 2.2 miliard dollarë u janë premtuar, dhe një pjesë u janë paguar tashmë, oligarkëve konçesionarë përmes skemave të paligjshme PPP. Kontratat e inceneratorëve i kanë kushtuar deri tani buxhetit rreth 450 milion euro dhe menaxhimi i mbetjeve urbane është në gjendje krize. Borxhi publik real e ka kaluar 100% të produktit të brendshëm bruto dhe pagat e sektorit publik, pensionet dhe pagesat e papunësisë nuk janë rritur thelbësisht prej 8 vitesh. +mimet janë rritur ndjeshëm dhe taksimi i pabalancuar i të ardhurave ka rrudhur në mënyrë drastike shtresën e mesme.

Nga ana tjetër, të qeverisësh për mandatin pasardhës, për Edi Ramën nënkupton të shndërrosh administratën në strehë të militantizmit, policinë në domen të grupeve kriminale dhe FRESSH, të mbushësh Parlamentin dhe qeverinë me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të mafias, të intimidosh dhe ndëshkosh mediat kritike, të bëhesh palë në projekte anti-kombëtare dhe t’ia falësh Shqipërinë oligarkëve me 1 euro.

Lufta e Rilindjes për pushtet të pakufizuar dhe të përhershëm e ka ndarë Shqipërinë në dy harta: në Shqipërinë e dëshpërimit dhe në Shqipërinë e luksit. Në Shqipërinë e dëshpërimit, brenga më e madhe është sigurimi i ushqimit për familjen ose një pasaportë bullgare për të ikur natën nga ky vend. Në Shqipërinë e luksit lufta më e madhe bëhet për të shpikur skema mashtrimi për të gllabëruar tokat në bregdet, minierat, tenderat e florinjtë dhe PPP-të e pakërkuara. Askush në Shqipërinë e luksit nuk do t’ia dijë për lotët e familjarëve të të sëmurëve me COVID për të siguruar një shtrat në spital për të afërmit në Shqipërinë e dëshpërimit.

Në Shqipërinë e luksit, fëmijët e oligarkëve janë duke numëruar orët deri në nxjerrjen në shitje të serisë së fundit të një makine të shtrenjtë, ose deri në nisjen e charterit apo jahtit drejt një destinacioni ekzotik. Në Shqipërinë e dëshpërimit shumë fëmijë shqiptarë nuk do të mund të paguajnë tarifat e shkollimit apo të blejnë një palë rroba dhe një çantë për vitin e ri shkollor.

Se ç’do të sjellë për shqiptarët e Shqipërisë në dëshpërim një 4-vjeçar tjetër fushate të pandërprerë për të siguruar mandatin e katërt për Edi Ramën, mund të kuptohet nga ajo që ka sjellë deri tani qeverisja-fushatë e dy mandateve të para të tij. Ajo që mbetet të ndryshojë është sjellja e shqiptarëve gjatë mandatit të tretë. Nëse vazhdojmë të ikim, të nënshtrohemi dhe të bëjmë kompromis, mandati katërt i Edi Ramës është i sigurtë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t03/09/2021 17:26

Po opoziten ku e le,apo kete analize e bere sepse je i ndergjegjshem qe nuk ka opozite

Albi_I03/09/2021 15:40

Me idiote si puna e Vehapit, qe jane te prere per teqe dhe asgje me shume, e ardhmja opozitare eshte e sigurte.

Shto koment

Denonco