Basha me program, Rama me Lanë

Basha me program, Rama me Lanë

Nga Vehap Kola - 07/02/2021

Çdo ditë në media shohim Lulzim Bashën me ekipin e tij të shpallë pjesë të programit të Partisë Demokratike për qeverinë që opozita synon të krijojë pas zgjedhjeve të reja. Kemi parë deri tani PD-në të publikojë programin për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, rininë, mirëqenien sociale dhe bujqësinë. Të gjithë këto plane tingëllojnë më shumë si një program qeverie, me objektiva të matshëm dhe specifikë, të përcaktuar në kohë dhe të buxhetuar.

Në vija të përgjithshme, PD angazhohet të punojë për të dyfishuar të ardhurat për frymë gjatë 8 viteve të ardhshme, të zhdukë varfërinë ekstreme – jetesën me më pak se 5 dollarë në ditë – dhe të zgjerojë shtresën e mesme. Këtë ajo shpreson ta arrijë duke kombinuar një politikë të taksave të ulëta dhe shtetit të vogël me politikën e rritjes së pagave që kanë mbetur në vend që prej 8 vitesh dhe subvencionimin e fortë të prodhimit bujqësor vendas.

Modeli ekonometrik mbi të cilin është ngritur programi i Partisë Demokratike parashikon që ulja e taksave të rrisë bazën e tatimpaguesve dhe, e kombinuar me zgjerimin e përgjithshëm të ekonomisë, të sjellë rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 500 milion euro. Ndërkohë që masat rishpërndarëse, sidomos heqja e taksës së qarkullimit mbi naftën dhe e akcizës për naftën në bujqësi do të shkaktojnë një reduktim të të ardhurave me rreth 250 milion euro. Në rezultante, qeveria e Lulzim Bashës pritet të rrisë të hyrat në buxhet me rreth 250 milion euro në vit.

Ndërkohë që opozita e ka marrë me seriozitetin maksimal ballafaqimin me votuesit gjatë kësaj fushate, Rama ka vazhduar ta mbështesë propagandën mbi një paradigëm ërestling. Në mungesë të një programi real dhe qartësisht i zënë në befasi nga shpalljet e përditshme të programit nga Basha, ai duket se këto ditë do të vazhdojë të punojë mbi tezën se ai është më i fortë se Basha, se Basha nuk e mund dot atë, se ai fle ndërsa ky e bën natën ditë etj.

Kryeministri është shumë i interesuar që shqiptarët ta shohin këtë përballje si ndeshje ndërmjet dy ekipeve të futbollit, pasojat e së cilës nuk do të jenë serioze për askënd përtej vetë anëtarëve të secilit ekip. Propagandistët e tij përsërisin nëpër studiot televizive se këto zgjedhje janë kritike për Lulzim Bashën sepse një humbje për të do të thotë largim i përhershëm nga politika. Duke u marrë me Bashën, oficerët e piarit rilindist synojnë të hutojnë shqiptarët e të mos i lënë të mendojnë për pasojat reale që rezultati i zgjedhjeve do të ketë në vetë jetët e tyre.

Artikulimi i angazhimeve të prekshme nga ana e Partisë Demokratike duket qartë se synon pikërisht të nxjerrë njerëzit nga ky kurth. E folura e opozitës me shifra, me tregues, me të dhëna dhe me afate kthen gjykimin e votuesve tek çështjet reale që përbëjnë jetesën e tyre. Taksat këto 8 vite kanë qenë shumë të larta, veçanërisht për shtresën e mesme. Taksat më të larta në Shqipëri i paguajnë ata që marrin paga mbi 1.5 milion lekë në muaj, jo bizneset e mëdha apo oligarkët.

Shteti ndërkohë është treguar i pamëshirshëm me të varfrit. Në një vit, qeveria me anë të policisë dhe burgosjes së 40 mijë kryefamiljarëve mblodhi nga popullsia fatura e detyrime për energjinë që u takonin periudhave të disa qeverive përpara saj. Kjo dhe masa të tjera shtrënguese e kanë rritur varfërinë dhe kanë nxitur largimin masiv të moshave të reja.

Ligjërimi i arsyeshëm i opozitës duket se po funksionon. P.sh, shumë njerëz kanë prekur përfitimin direkt në pagat e tyre nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale në 9%. Fermerët që kanë vite pa marrë asnjë mbështetje financiare, e kanë të qartë se nga 400 milion eurot që do të shpërndajë qeveria Basha, pjesa dërrmuese e tyre do të përfitojnë drejtpërdrejt. 35 mijë familje që kanë kryefamiljarët mësues do të fitojnë rritje të pagave deri në 700 euro. 6000 mjekë dhe infermierë presin rritjen e pagave në 1200 dhe 700 euro. Pedagogët do të trajtohen si kolegët e tyre në Ballkan me paga që variojnë nga 900 në 1300 euro.

I alarmuar nga angazhimet e opozitës, Rama dhe makineria e tij e propagandës nguten t’i quajnë blofe objektivat e programit të saj, se nuk ka para për t’i realizuar etj. Është normale që një qeveri që i rriti taksat për 8 vite për të financuar kontratat PPP disafish mbi koston reale, ta shpallë të parealizueshëm programin e opozitës. Nëse do të thoshte të kundërtën ajo nuk do të kishte as të drejtën formale për të kërkuar edhe një herë votën e shqiptarëve.

E vërteta duhet thënë. Nëse Rama do të kishte rritur rrogat qoftë edhe sa norma e inflacionit, nëse do të bënte vetëm gjysmën e këtyre që Basha angazhohet t’i bëjë pas 25 prillit, atëherë ai dhe oficerët e tij të propagandës do të ishin realisht të besueshëm. Por fati i mirë i Lulzim Bashës dhe fati i keq i Ramës në këtë rast është se qeveria e këtij të fundit shquhet vetëm për projekte 3D. Në mënyrë krejt të çuditshme, kjo qeveri ia ka arritur të qëndrojë në pushtet duke mos bërë thuajse asnjë punë në këtë vend. Të vetmet punë që ajo ka bërë janë kontratat korruptive të PPP-ve, tenderave sekretë dhe pastrimit të parave që kanë krijuar një farë ideje të rreme të lëvizjes. Por edhe këtyre marifeteve u ka dalë boja një herë e mirë.

Pa një bilanc realizimesh dhe pa një program, Rama është duke i dhënë Bashës mundësinë e kontrastit ideal dhe nje rezultati të fortë. Basha dhe demokratët e kanë kapur, siç duket, këtë plagë të Ramës dhe nuk ka arsye pse ta heqin këpucën prej saj deri ditën e zgjedhjeve. Natyrisht, Rama nuk është aq budalla sa të rrijë e të harxhojë gjithë kohën e tij të propagandës duke sharë programin dhe liderin e opozitës. Ka më shumë nga fushata e tij.

Për të mos i lënë Bashës ekskluzivitetin e programit, Rama po e përmbyt vendin me fekale: premtimesh bombastike, jorealiste dhe qesharake. Jo se ai nuk e di që njerëzit e dinë që 2 aerodrome në Gjirokastër nuk do të bëhen kurrë, por ai synon tjetërkund. Synimi i tij është të degradojë diskutimin publik mbi programet duke i kundërvënë programit të PD-së një karikaturë programi.

Efekti që ai pret nga kjo djallëzi manipulimi është që t’ua bëjë të vështirë njerëzve të bëjnë dallimin ndërmjet një programi dhe një liste dëshirash e premtimesh boshe. Rama shpreson se, të lodhur nga zukama acaruese e premtimeve pa fre, njerëzit do të lodhen dhe do të tërhiqen sërish në mosbesimin tipik ndaj politikës në tërësi. Edhe lufta e opozitës dhe Lulzim Bashës do të jetë kjo. Programi nuk mjafton të shpallet. Ai duhet mbrojtur nga përzierja me Lanën e fekaleve që ka shpërthyer në dyert e kryeministrisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco