'Këpucar! Merru me këpucët!'

'Këpucar! Merru me këpucët!'

Nga Erion Dasho - 19/11/2020

Shprehja e mësipërme i atribuohet një piktori të Greqisë së Lashtë, i cili i kërkoi një këpucari mendim se si t’i pikturonte më saktë këpucët. Këpucari pasi e dha mendimin e vet nisi të japë sugjerime edhe për ngjyrat, format, etj. Atëherë piktori tha frazën e famshme: “Këpucar! Merru me këpucët!”

Shprehja e mësipërme më është kujtuar gjatë kohës së pandemisë kur kam parë urgjencën mjekësore të luajë rolin e këpucarit të Apelles së Kosit.

I ftuar në mars dhe prill për të kaluar situatën e emergjencës me COVID-in, Shërbimit të Urgjencës i mbeti COVID-i në dorë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të merret edhe me konsultime online, edhe me mjekim në shtëpi, edhe me marrje tamponash edhe me transport pacientësh.

Për të mos përmendur rastet kur specialistët apo drejtuesit e vet janë marrë edhe me parashikime epidemiologjike, përllogaritje shpenzimesh dhe hartim skemash mjekimi.

Efekti më i dëmshëm i dhënies së “ekskluzivitetit të COVID-it” Urgjencës Mjekësore është çrregullimi dhe kaosi që është krijuar në sistemin e referimit të pacientit.

Në gjithë botën dhe në çdo sistem shëndetësor pacienti referohet nga mjeku i familjes, tek spitalet lokale e rajonale dhe më pas tek spitalet kombëtare (terciare).

Ky sistem nuk u shpik për një ditë, por është përsosur në vite dhe dekada si një standard i artë i ofrimit të kujdesit shëndetësor cilësor, të sigurt, efektiv, efiçient dhe që garanton qasje të barabartë sipas nevojës.

Në Shqipëri, sistemi i referimit është i rregulluar me një kuadër ligjor të plotë të hartuar në vitet 2010-2011, pra zbatimi i tij është detyrim ligjor!!!

Gjatë epidemisë, Urgjenca Mjekësore e merr pacientin nga shtëpia dhe e dërgon atë në spitalet COVID dhe duke kapërcyer menjëherë tre shkallë në sistemin e referimit - mjekun e familjes, spitalin bashkiak dhe spitalin rajonal.

Dëmi në shëndetin e pacientit është i madh duke filluar nga krijimi i hendekut deri në pamundësi komunikimi midis pacientit dhe familjarëve, për të përfunduar tek përdorimi joefektiv i burimeve njerëzore terciare të cilat si rregull merren vetëm me pacientët në gjendje të rënduar.

Pasoja është “hollimi” i kujdesit terciar duke bërë që asnjë kategori pacientësh të mos marrë shërbimin që ka nevojë.

Për pacientin e pakomplikuar që ka nevojë vetëm për antibiotikoterapi dhe oksigjen mund të kujdeset shumë më mirë Spitali Rajonal, kurse për pacientin që ka nevojë për kujdes intensiv duhet të kujdeset Spitali Terciar, por kapacitetet e tij nuk duhet të mbingarkohen nga pacientët e pakomplikuar.

Vdekshmëria tepër e lartë reanimatore është indikatori më domethënës që provon se duke mbingarkuar Spitalet Terciare dëmtohet shëndeti i pacientit dhe vendoset jeta e tij në rrezik. Nga ana tjetër, vdekshmëria e përgjithshme nga COVID, një nga më të lartat në botë, është tregues se eksperimenti me shëndetin e shqiptarëve ka dështuar.

Pse bëhet kjo? Kaq të paaftë janë drejtuesit e Ministrisë dhe komitetsat sa të mos kuptojnë dëmin që janë duke shkaktuar?!

Ndonëse epidemia nxori zbuluar paaftësinë e thellë si të Ministrisë, ashtu edhe të “ekspertëve” të Komitetit, prishja e sistemit të referimit të pacientit dhe nxjerrja jashtë loje e krejt sistemit shëndetësor për ta vendosur barrën e epidemisë mbi shpatullat e Urgjencës Mjeksore dhe të 2-3 entiteteve terciare që janë emëruar “spitale COVID” por janë thjesht klinika, do të ishte me të vërtetë e tepërt!

Ministria dhe komitetsat nuk besoj se janë kaq të paaftë!

Në këto kushte pyetje të natyrshme do të ishin: a po luan shërbimi i Urgjencës rolin e ruajtësit të portës (gate-keeper) për të mbajtur artificialisht të ulët përdorimin e shtretërve spitalorë?

A ka aktualisht pacientë që marrin në telefon Urgjencën Mjekësore dhe specialistët e kësaj të fundit i këshillojnë të mjekohen në shtëpi edhe në nivele të rrezikshme të saturimit të oksigjenit dhe parametrave të tjerë jetësorë?

Duke përqendruar në një dorë të gjithë transfertat drejt spitaleve Covid, a po bëhet realitet përzgjedhja famëkeqe e pacientëve që jetojnë dhe pacientëve që vdesin duke jetësuar kërcënimin publik që ju bë shqiptarëve disa javë më parë?

Dhe më e rëndësishmja!

Nëse kjo përzgjedhje është duke ndodhur, a mban dikush përgjegjësi profesionale, morale, etike dhe ligjore për çka po ndodh?!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp19/11/2020 10:26

Keni të drejtë. Shmangja e "konvejerit shëndetësor" është një gabim me pasoja. "U i gjëmbit, u dhe i plumbit".

Shto koment

Denonco