Burri i shtetit merr vendime që lidhen me brezat e ardhshëm

Burri i shtetit merr vendime që lidhen me brezat e ardhshëm

Nga Besnik Mustafaj - 10/01/2020

Urime të përzemërta Shqipërisë për Presidencën e OSBE-së!

Marrja e Presidencës së OSBE-së shënon pa dyshim një afirmim me rëndësi të Shqipërisë si kontributore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si shqiptar dëshiroj fort që kjo përgjegjësi e madhe të përmbushet me sukses.

Por kam edhe një arsye personale për t’u ndjere sot i kënaqur. Kandidatura jonë për ta marrë këtë rol është vënë në vitin 2006. Ishte hera e parë që një qeveri shqiptare synonte një projekt, të cilin nuk kishte asnjë shans ta zbatonte vetë.

Pra, ishte hera e parë që një qeveri shqiptare hidhte themelet e një ngrehine të rëndësishme politiko-diplomatike, të cilën do ta gëzonin ekipe të tjera qeverisëse. Për mua, si ministër i jashtëm në atë periudhë, ishte krejt e qartë se 14 vjet më vonë, në 2020, unë dhe koleget e mi, përfshirë këtu edhe Kryeministrin Berisha, do të ishim ne pension.

Por mua më udhëhiqte një mësim i Çurçillit, i cili thotë se dallimi midis burrit të shtetit dhe qeveritarit të zakonshëm qëndron në faktin se burri i shtetit merr vendime që lidhen me brezat e ardhshëm, ndërsa qeveritari i zakonshëm merr vendime që lidhen me zgjedhjet e radhës.

Në atë periudhe, Shqipëria monitorohej nga OSBE, siç vazhdon të monitorohet edhe sot. Kur fillova të flas me kolegët e mi, ministra të Jashtëm të vendeve anëtare, për t’u kërkuar mbështetjen, shumë prej tyre gjenin mënyrën për të ma kujtuar se nuk është normale të kërkosh kryesimin e një organizate, nën monitorimin e të cilës je.

Ishte vërejtje me vend. Monitorimi nga OSBE është tregues i fortë i mangësive substanciale që ka zbatimi i demokracisë në vend. Por, siç kishin filluar punët pas zgjedhjeve të vitit 2005, unë sinqerisht isha i bindur se ky monitorim nuk do të zgjaste.

Dhe ua dhashë pa ngurrim kolegëve garancinë se në vitin 2020 Shqipëria do të ishte një vend me demokraci të konsoliduar. Mirë bëra, sado që, fatkeqësisht, historia tregoi se isha gabuar ne parashikimin tim.

Është rasti të kujtoj sot me mirënjohje nxitjen që më dhanë për pjekjen e kësaj ideje, grupi i vogël i bashkëpunëtorëve në kabinetin tim, me drejtorët njëri pas tjetrit Llesh Kola e Halil Hyseni, dhe këshilltaret Genc Muça, Desada Metaj e Xhuli Mehdiu. Por vetëm ne nuk mund t'ia dilnim. Ideja u prit shumë mirë nga i gjithë trupi diplomatik i Ministrisë së Jashtme.

Për konkretizimin e saj punuan me dashuri dhe profesionalizëm të lartë, veçanërisht një dorë diplomatësh të spikatur, midis të cilëve do të përmendja Spiro Koçin, Mimoza Halimin e ndonjë tjetër. Më pas ata do të bëheshin edhe ambasadorë të shkëlqyer. Kam mësuar shumë nga bashkëpunimi me ta.

Një falenderim të posaçëm kam edhe për Kryeministrin Sali Berisha. Pa mbështetjen e tij të fortë, një projekt i tillë sigurisht që nuk mund të merrte rrugë. Në këtë valë entuziazmi ne vumë edhe kandidaturën e Shqipërisë për një vend si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitin 2022, te cilin kam besim se do ta marrim.

Pa modesti të shtirur po i lejoj vetes të pohoj se nuk e kishim të lehtë. Ne po mbillnim ca pemë, me të cilat toka e administratës politike të shtetit shqiptar nuk ishte e mësuar.

*Status në Facebook i ish-ministrit të Jashtëm

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco