Fotoja e një astronauti nga viti 2020 tregon një vorbull të madhe, jeshile të hapur në liqenin e Shkodrës.
Kjo foto mbresëlënëse tregon një re sedimentesh që rrotullohen duke formuar një vorbull të madhe në një nga liqenet më të mëdhenj të Europës.
Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Europën Jugore, me sipërfaqe nga 360 deri në 520 kilometra katrorë, në varësi të stinës. Ai ndodhet në kufirin mes Malit të Zi, që përfshin pjesën perëndimore të liqenit, dhe Shqipërisë, që shtrihet në bregun lindor. Rreth 65% e liqenit i përket Malit të Zi dhe 35% Shqipërisë.
Burimi kryesor i ujit është lumi Moraça në veriperëndim, ndërsa daljet kryesore janë lumenjtë Buna dhe Drini, që nisin në skajin lindor dhe derdhen në detin Adriatik, i dukshëm pjesërisht në cepin e poshtëm të fotos. Bregu jugor i liqenit rrethohet nga vargmalet e larta të Alpeve Dinarike.
Në fund të dimrit dhe fillim të pranverës, niveli i ujit rritet dhe liqeni mbushet me një substancë jeshile të hapur, e cila shpesh formon vorbulla për shkak të rrymave sipërfaqësore nga era dhe rrjedhjes natyrore të ujit.
Materiali që rrotullohet duket si algë, por në fakt përbëhet nga sedimente, kryesisht gëlqeror dhe dolomit, që vijnë nga Alpet Dinarike dhe malet përreth gjatë shkrirjes së borës.

Liqeni i Shkodrës është një liqen karstik, që do të thotë se dikur ka qenë sistem shpellash që u mbushën me ujë dhe më pas u shembën, pasi shkëmbinjtë përbërës janë të lehtë për t’u gërryer. Ai quhet “kriptodepresion” sepse pjesa më e madhe e fundin të tij ndodhet nën nivelin e detit.
Liqeni është formuar gjatë epokës Kenozoike (nga 66 milionë vjet më parë deri sot). Ai ka disa ishuj të vegjël, disa prej të cilëve duken në bregun jugor, si Beshka, ku ndodhen dy kisha 600-vjeçare, dhe Grmozhur, ku gjenden mbetjet e një fortifikimi të shekullit XIX.
Në bregun perëndimor ndodhet një avullore e mbytur, e quajtur “Skënderbe”. Ajo u fundos në vitin 1942 nga partizanët pasi u mor nga ushtarët italianë gjatë pushtimit të Jugosllavisë në Luftën e Dytë Botërore. Kur niveli i ujit bie, një pjesë e anijes del mbi sipërfaqe.
Liqeni i Shkodrës është një zonë me biodiversitet shumë të pasur dhe ka status të mbrojtur në të dy anët e kufirit. Është veçanërisht i rëndësishëm për shpendët; mbi 280 lloje jetojnë aty, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe disa specie endemike.
Liqeni gjithashtu strehon rreth 50 lloje kërmijsh të ujërave të ëmbla, më shumë se çdo liqen tjetër në botë, sipas një studimi të vitit 2013. /Live Science – Syri.net
© SYRI.net