Vendet e ndaluara në botë

Vendet e ndaluara në botë

14:49, 21/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Planeti në të cilin banojmë dhe distancat që na ndajnë janë tashmë mëse të aksesueshme, me fluturime, harta, informacione, guida. E megjithatë ekzistojnë vende që janë të paaksesueshme dhe të ndaluara rreptësisht. Për disa arsye, që mund të jenë për motive sigurie, për të mbrojtur trashëgimi historike të paçmueshme, apo ekosisteme të brishta e të papërsëritshme, arsye kulturore, sekrete e siguri ushtarake.

Pra, pavarësisht iluzionit të dominancës absolute globale, ekzistojnë kufij që janë të pakalueshëm.

Këto zona off limits, të veshura me mister, nxisin padyshim imagjinatën njerëzore edhe më shumë.

Ndër më të njohurit publikisht është Area 51 në SHBA, bazë ushtarake e rrethuar nga misteri dhe e lidhur gjithnjë me alienët. Por si kjo ekzistojnë shumë të tjera.

1. Një shembull emblematik është Ishulli North Sentinel, në Gjirin e Bengalës dhe nën administrim të Indisë. Banohet nga një popullsi që jeton prej mijëra vjetësh dhe ka zgjedhur izolimin total nga bota e jashtme, duke mbështetur jetesën ende si në kohërat e hershme mbi gjueti, peshkim dhe çka i jep toka. Gjatë historisë kjo tribu ka refuzuar gjithnjë çdo lloj kontakti me të huaj, duke treguar sjellje agresive ndaj çdo tentative për t’u afruar. Qeveria indiane e respekton këtë vendim, duke e shpallur zonë të ndaluar rreptësisht dhe brenda 3 miljeve, ose 5 km në det, askush nuk mund të afrohet.

Arsyeja nuk është vetëm ruajtja e një tribuje prehistorike në mes të një bote të globalizuar dhe vlerave kulturore, traditave etj., por edhe shëndetësore. Banorët, që mendohet të jenë rreth 400 aktualisht, nuk kanë zhvilluar asnjë formë imunitare kundër shumë sëmundjeve për ne të tjerët normale. Për ta edhe një virus gripi mund të rezultonte fatal jo vetëm për një individ, por për gjithë komunitetin.

Gjatë viteve të fundit ka pasur dy tentativa për të pasur kontakt me këtë ishull. Një influencer në vitin 2025 mendoi të bënte një dhuratë për tribune dhe ta lëshonte mbi ishull, por fatmirësisht u tërhoq. Për thyerjen e rregullave dhe rrezikun që përfaqësoi për një komunitet të rrallë, për pak famë në rrjete sociale, u arrestua dhe sot rrezikon të përfundojë në burg.

Ndërsa një tjetër, në vitin 2018, bëri një tentativë të ngjashme, por përfundoi shumë keq edhe në atë rast, pasi vendasit e vranë me heshta.

2. Një tjetër ishull i pashkelshëm është Queimada Grande në Brazil. Njihet ndryshe si Ishulli i Gjarpërinjve dhe nuk është aspak poetike, por përshkrimi ekzakt i natyrës së këtij territori. Përqendrimi i gjarpërinjve në të është më i larti në botë, pasi pa predatorë, numri i tyre është rritur në mënyrë eksponenciale, dhe ku ka specie reptilësh që vetëm aty ekzistojnë. Për shkak të rrezikut ekstrem që paraqet ky ishull, Brazili ka ndaluar rreptësisht hyrjen në të.

3. Një tjetër zonë off limits për njeriun është Svalbard Seed Vault në Norvegji, në arkipelagun me të njëjtin emër në Norvegji, rreth 1300 km larg Polit të Veriut. Është një bankë e vërtetë farash, e konceptuar për të ruajtur miliona kampione të kulturave bujqësore nga gjithë bota.

Ruhen këtu dhe janë të mbrojtura me masa ekstreme, dhe do të shërbenin në rast të një katastrofe globale, për t’i mbijetuar një pandemie agresive, apokalipsi natyror apo krize klimatike që mund të shkatërronin gjithçka ekzistuese në planetin Tokë. Çdo farë është e çmuar dhe ky vend është një kasafortë reale e biodiversitetit bujqësor, një depozitë thelbësore për të ardhmen e Tokës.

Struktura është ndërtuar duke gërmuar permafrostin, ku i ftohti natyral krijon kushtet ideale për konservimin afatgjatë. Për shkak të rëndësisë që ka, njerëzimi është i përjashtuar nga kjo zonë dhe akses kanë vetëm një numër i kufizuar personeli shkencor i autorizuar.

4. RAF Menwith Hill në Britani është një ndër bazat e spiunazhit elektronik. E regjistruar si një bazë e Royal Air Force, por në fakt personeli është amerikan dhe pjesë e NSA, National Security Agency.

Sikurse me një vellë misteri rrethohet e famshmja Area 51 në Nevada të SHBA-së. Zonë sekrete nëntokësore që shtrihet nën një shkretëtirë, rreth 150 km larg Las Vegas. Niveli tepër i lartë i sekretit ushtarak me karakter eksperimental, shpesh është menduar se aty zhvillohet teknologjia ushtarake amerikane. Por natyrisht mbizotëron ideja për të cilën është aluduar, që aty poshtë fshihet shumë mbi praninë e alienëve në univers, e eksperimente me ata të gjetur ndër vite.

Perimetri i saj është rreptësisht i vëzhguar, çka ka shtuar edhe më shumë kuriozitetin, teoritë konspirative, duke u kthyer në simbol global i tabelës “E ndaluar”.

5. Disa metra poshtë Londrës gjendet një ndër thesaret në flori të Tokës. Caveau i Bankës së Anglisë, që gjendet diku nën disa shtresa nëntoke pranë Threadneedle Street në Londër, e ku ruhen lingota floriri me vlerë të paimagjinueshme. Në këtë bankë sekrete tunelesh nëntokësore në zemër të kryeqytetit anglez, janë të paktën 30 kombe që kanë besuar rezervat e floririt, pasi ky labirint konsiderohet më i sigurti në botë.

Muret e këtij tuneli janë në beton të armuar, që i rezistojnë bombave, çelësat e hapjes së kangjellave të çelikta janë të rëndë dhe i gjithë sistemi është plotësisht analog, duke evituar me qëllim sistemet elektronike, të konsideruara më vulnerabël dhe të dhunueshme.

6. Pine Gap është më misteriozja, më e rëndësishmja dhe më pak e përfolura ndër bazat sekrete ushtarake të botës. Gjendet në Australi dhe është plotësisht top secret, nëntokësore, pak e dukshme edhe nga sipërfaqja, plotësisht e financuar nga SHBA-të. Zyrtarisht punojnë 1 mijë persona në këtë vend, por nuk dihet asgjë më tepër se kaq, as çfarë ndërtohet dhe asgjë.

7. Varri i Qin Shi Huang, në Kinë është një tjetër vend i ndaluar e që duket i dalë nga filmat e famshëm hollivudianë Indiana Jones.

Perandori i parë kinez është i varrosur në thellësi nën një kodër në pjesën qendrore të Kinës, i rrethuar nga një gropë që është e mbushur me merkur. Është i famshëm për ushtrinë në qeramikë, që u zbulua rastësisht nga një fshatar vite më parë. Sot numërohen 2 mijë statuja prej balte, por mendohet të jenë 8 mijë në total, pra një pjesë ende e pazbuluar.

Ndërsa vendi ku prehet perandori është plotësisht i padhunueshëm, i paprekshëm, i ndaluar pasi qeveria kineze nuk ka dhënë kurrë leje për një gërmim arkeologjik.

Sipas besimeve lokale të epokës dhe praktikave taoiste, merkuri si element kimik konsiderohej si një eliksir i jetëgjatësisë dhe pavdekshmërisë. Por njëkohësisht mendohet se nëse hapet porta e madhe e mauzoleumit, mund të çlironte sasi vdekjeprurëse të avujve të merkurit. E përveç këtyre arsyeve, ka të tjera misterioze e të paimagjinueshme.

Një tjetër mister që ka nxitur kureshtjen e njerëzimit ndër shekuj, janë arkivat sekrete të Vatikanit. Këto labirinte gjigande shtrihen për 2 kate poshtë nën tokën e shtetit papnor. Janë themeluar në 1612 nga Papa Paolo V, nuk ka reshtur së zgjeruari dhe sot është aq i madh saqë nuk do të mjaftonin 2 ditë vetëm për të përshkuar korridoret e sipërfaqes së madhe që mbulon. Ka edhe dy salla me temperaturë dhe nivel lagështire të kontrolluar, ku ruhen pergamena me shkrime të lashta. Aty ruhen dokumente të hershme të njerëzimit dhe personazheve që kanë udhëhequr botën në periudha të ndryshme.

8. Një ishull tjetër, në Karolinën e Jugut në SHBA, i banuar vetëm nga majmunë, është i ndaluar dhe asnjë njeri nuk lejohet ta shkelë. Jetojnë rreth 4000 majmunë të egër në Morgan Island, me një peizazh të dendur me gjelbërim, me moçale dhe palma. Ishulli është në pronësi të Departamentit të Burimeve Natyrore të Karolinës së Jugut.

Në vitin 1979, këtu u vendos një koloni majmunësh rhesus, të marrë nga një qendër kërkimesh mbi primatët në Porto Riko. Kolonia ishte e infektuar me virusin herpes dhe që atëherë, i kanë mbijetuar virusit dhe kanë kolonizuar ishullin tropikal të dendur me gjelbërim.

Për shkak të virusit, arsyeve shkencore dhe jo vetëm, është rreptësisht e ndaluar të zbarkosh në këtë ishull, por ka një perimetër sigurie në det ku varka të vogla organizojnë ekskursione për të shuar kuriozitetin e turistëve, që arrijnë të shohin nga larg majmunët buzë detit e kudo.

Vetëm personel shkencor i autorizuar mund të shkojë nëpërmjet masave tejet të rrepta dhe një herë në vit tërhiqen shumë majmunë nga ishulli për kërkime shkencore në një laborator të posaçëm. Ndërkohë që gjithë përkujdesjen për ta e ka një kompani private, me një kontratë multimilionere.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco