Historia rrëqethëse e La Paskualitës, manekini që disa njerëz mendojnë se është një trup i balsamosur

Historia rrëqethëse e La Paskualitës, manekini që disa njerëz mendojnë se është një trup i balsamosur

14:13, 21/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në qytetin e Çihuahuas të Meksikës, një dyqan fustanesh nusërie është bërë i famshëm prej pothuajse një shekulli, jo për fustanet e tij, por për një manekin që shumëkush beson se nuk është aspak manekin. Që nga viti 1930, në dritaren e dyqanit "La Popular" qëndron "La Paskualita", një figurë aq e gjallë sa shumë njerëz janë të bindur se ajo është trupi i balsamosur i vajzës së ndjerë të pronarit të dikurshëm të dyqanit.

Image

Legjenda thotë se vajza e pronares Paskuala Esparza vdiq tragjikisht ditën e dasmës së saj, pasi u pickua nga një merimangë e zezë. Sipas versioneve të tjera, ajo u pickua nga një akrep ose kreu vetëvrasje sepse e ëma nuk e pranonte martesën. Pak kohë pas vdekjes, Esparza vendosi në vitrinën e dyqanit një manekin të ri, që u shfaq me 25 mars 1930, e veshur me një fustan nusërie nga koleksioni pranverë/verë. Por kalimtarët nuk panë fustanin, por fytyrën e jashtëzakonisht të gjallë të manekinit.

Image

La Paskualita kishte një pamje rrëqethëse: lëkurë të ndritshme, qerpikë të dendur, sy me shkëlqim të gjallë dhe duar e thonj të punuar me imtësi, madje me vena të dukshme në këmbë. Kjo bëri që banorët të përhapnin thashethemin se ajo nuk ishte manekin, por trupi i balsamosur i vajzës së vdekur së pronares.

Image

Me kalimin e viteve, përreth saj u krijuan histori të shumta. Vizitorët thanë se sytë e saj i ndiqnin teksa lëviznin nëpër dyqan, ose se ajo ndërronte qëndrim gjatë natës. Punonjësit e dyqanit rrëfenin se ndiheshin të shqetësuar kur i afroheshin, sepse duart e saj dukeshin tepër reale. Njëri prej tyre tha: "Sa herë që afrohem te Paskualita, më djersiten duart. Ajo ka vena të dukshme dhe lëkurë të vërtetë. Mendoj se është njeri."

Një tjetër version legjendar tregon për një magjistar francez që vizitoi Çihuahuan dhe u dashurua me manekinin aq shumë, sa çdo natë e sillte në jetë për të vallëzuar me të, duke e kthyer në dritare çdo mëngjes para se të zbardhte.

E megjithatë, e vërteta rreth La Paskualitës mbetet e paqartë. Disa dyshojnë madje në ekzistencën e Paskuala Esparzës, pronares së përmendur në legjendë. Shumica e ekspertëve, megjithatë, janë të bindur se është e pamundur që manekini të jetë një trup i balsamosur që ka mbetur i paprekur për gati një shekull në vapën e shkretëtirës meksikane.

Image

Siç shpjegon sipërmarrësi i varrimeve dhe autori Tomas Prauer, "mbajtja e një trupi të balsamosur çdo ditë në një vitrinë nën diellin përvëlues do ta shkatërronte atë shpejt. Nuk ka asnjë mundësi që ai trup të dukej ende aq i freskët pas 90 vitesh." Ai shton se trupat e vërtetë të balsamosur që ruhen në ekspozim, si ai i Leninit në Moskë, kërkojnë ripërpunim dhe ribalsamosje të vazhdueshme për t’u ruajtur. Nëse La Paskualita do të ishte trup i vërtetë, ajo do të kishte nevojë për dhjetëra ndërhyrje për t’u ruajtur në atë gjendje.

Asnjë nga pronarët e mëvonshëm të dyqanit nuk e ka pranuar ose nuk e ka mohuar publikisht legjendën. Kur një gazetar pyeti njërin prej tyre për të vërtetën, ai u përgjigj me një buzëqeshje dhe tha: "A është e vërtetë? Nuk mund ta them."

Për dekada të tëra, La Paskualita mbeti në dritaren e dyqanit si simbol i misterit dhe i kuriozitetit, duke tërhequr turistë nga e gjithë bota. Pavarësisht nëse është një kryevepër artizanale apo një kujtim i kobshëm, ajo u bë pjesë e kulturës urbane meksikane, një figurë që përzien dashurinë, humbjen dhe të mbinatyrshmen.

Në vitin 2024, pas gati një shekulli në dritare, La Paskualita u hoq nga ekspozimi. Në vendin e saj u vendos një tabelë informuese që rrëfen historinë dhe legjendën e saj, duke ruajtur kështu kujtimin e "nuses së përjetshme" që për afro 100 vjet kishte magjepsur Çihuahuan dhe gjithë Meksikën./ATI - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco