Gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po zgjedhin të dalin në pension jashtë vendit, duke kërkuar një stil jetese të ndryshëm dhe me kosto më të ulët.
Një raport i ri i Global Citizen Solutions, i publikuar këtë vit, ka renditur 44 programe vizash për të ardhura pasive dhe pension, duke u bazuar në 20 tregues të ndarë në gjashtë fusha: procedurat administrative, shtetësia dhe lëvizshmëria, ekonomia, taksat, cilësia e jetës dhe siguria e integrimi.
Raporti thekson se Amerika dhe Evropa dominojnë në ofrimin e vizave për pensionistët dhe nomadët dixhitalë, duke ofruar cilësi të lartë jetese, stabilitet politik dhe sisteme shëndetësore të forta.
Portugalia kryeson listën për vitin 2025, duke u vlerësuar si destinacioni më i mirë për pensionistët falë vizës D7, e cila u ofron të huajve jashtë BE-së të drejtën e qëndrimit me të ardhura të qëndrueshme.
Me një të ardhur minimale prej 870 eurosh në muaj, pensionistët mund të aplikojnë për vizë, ndërsa pas pesë vitesh kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm ose shtetësisë. Portugalia dallon gjithashtu për sigurinë, sistemin tatimor të favorshëm dhe programin e famshëm të “vizës së artë”.
Në vendin e dytë renditet Mauritiusi, i cili ofron një status rezidence 10-vjeçar për pensionistët mbi 50 vjeç me një të ardhur minimale prej 2,000 dollarësh në muaj. Ky vend afrikan tërheq me procedurat transparente, përjashtimin nga tatimet mbi të ardhurat e huaja dhe cilësinë e lartë të jetesës.
Dhjetë vendet më të mira për pension në vitin 2025 sipas raportit janë:
1. Portugalia
2. Mauritius
3. Spanja
4. Uruguai
5. Austria
6. Italia
7. Sllovenia
8. Malta
9. Letonia
10. Kili
Këto destinacione po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për qytetarët që kërkojnë një pension më të qetë, me siguri, shërbime cilësore dhe përfitime fiskale.
© SYRI.net