Euronews Travel ka përzgjedhur disa nga hotelet më unike të ripërdorura në Evropë, që u ofrojnë udhëtarëve një përvojë ndryshe nga çdo qëndrim tradicional. Nga një avion privat i kthyer në akomodim turistik në Uells, tek një ish-burg në Zvicër apo një vinç porti në Amsterdam, këto struktura janë kthyer në destinacione të veçanta për ata që kërkojnë eksperienca të paharrueshme.
Një prej tyre është Zero Real Estate në Zvicër, një koncept artistik që vendos një krevat dopio nën qiellin e hapur, pa mure e pa tavan. Ideja synon të nxisë reflektim mbi çështje shoqërore dhe t’i ofrojë vizitorëve një lidhje më të thellë me natyrën dhe veten.
Në Uells, Apple Camping u jep mundësi turistëve të kalojnë natën në një avion privat të viteve ’70, i pajisur me kabinë lojërash, bar retro dhe dhoma gjumi të rehatshme. Një përzierje mes nostalgjisë dhe luksit të pazakontë.
Po aq mbresëlënës është Hotel Chetzeron në Crans-Montana të Zvicrës, një ish-stacion teleferiku i shndërruar në një hotel luksoz me vetëm 16 dhoma, pishinë të jashtme të ngrohtë dhe pamje mahnitëse të Alpeve.
Në Amsterdam, YAYS The Crane by Numa Stays i lejon vizitorët të flenë brenda një vinçi portual të vitit 1957, të transformuar në një apartament modern dhe luksoz me pamje spektakolare mbi lumin IJ.
Ndërkohë në Lucernë, Hotel Barabas ruan atmosferën autentike të një burgu 135-vjeçar. Me korridore të ngushta dhe qeli të transformuara në dhoma hoteli, vizitorët përjetojnë një qëndrim unik ku historia dhe mikpritja moderne ndërthuren.
Ekspertët thonë se këto hotele nuk ofrojnë vetëm risi arkitekturore, por edhe një lidhje emocionale dhe kulturore. Tendenca e re e turizmit po shkon drejt “përvojave kuptimplote” – qëndrime që nuk janë vetëm akomodim, por histori për t’u kujtuar e ndarë.
© SYRI.net