Shumë njerëz e dinë që Vincent van Gog e adhuronte ngjyrën e verdhë, por a e dinit që e adhuronte aq shumë sa që e hante bojën e verdhë? Pyetjet për Van Gogun që hante bojë dalin aq shpesh, sa që tema trajtohet edhe në faqen e pyetjeve të shpeshta të faqes zyrtare të Muzeut të Van Gogut. Disa njerëz besojnë se Van Gogu hante bojë të verdhë sepse mendonte se do ta bënte më të lumtur. Të tjerë, përfshirë edhe psikiatrin e Van Gogut, besonin se ai e bënte këtë sepse përpiqej të vriste veten. E vërteta është më e ndërlikuar, madje as vetë Van Gogu nuk e dinte pse hante bojë. Ai shkroi në një letër për vëllanë e tij: “Duket se kap sende të ndyra dhe i ha, ndonëse kujtimet e atyre momenteve të këqija janë të turbullta.” Pra, cila është arsyeja e vërtetë, pse Van Gogu hante bojë të verdhë?
Shkencëtarët tani besojnë se ai kishte një dëshirë biokimike për diçka që quhet terpene. Terpenet janë blloqe kimike që gjenden në natyrë, më së shpeshti në bimë. Ato u japin bimëve aromat e veçanta. Pse trëndafilat kanë aromë ndryshe nga gjilpërat e pishës? Për shkak të terpeneve! Adhuruesit e kanabisit mund ta njohin termin sepse terpenet janë ato që prodhojnë shumëllojshmërinë e aromave në llojet e ndryshme të marihuanës.
Por ja ku qëndron problemi: Terpenet janë shumë të fuqishme, ndaj zakonisht ndodhen në përqendrime shumë të vogla. Nuk duhet shumë për t’i dhënë bimës një aromë të veçantë. Është si me parfumin, një spërkatje e lehtë mund t’i tërheqë njerëzit, por nëse përdor shumë, do t’ua djegë sytë dhe do t’i largojë. Van Gogu kishte një nuhatje të fortë për terpenet dhe i kërkonte pa pushim. Por paradoksi është që nuk e bënte këtë në mënyrë të vetëdijshme. Nuk kishte asnjë ide çfarë ishin terpenet apo pse e tërhiqnin. Ai vetëm e dinte që i donte.
Prandaj pinte glikanxo. Glikanxoja është një pije alkoolike e rafinuar që prodhohet nga pelini dhe bimë të tjera. Ka ngjyrë smeraldi, erë druri të fortë dhe përmban një përqendrim tmerrësisht të lartë alkooli. E quajtur ndryshe “zana e gjelbër”, zakonisht ka mbi 60% përmbajtje alkooli. Duhet holluar shumë para se ta pish, madje ekziston edhe një ritual i stilizuar: së pari hedh një gotë glikanxo, pastaj vendos një lugë me vrima sipër gotës dhe mbi të një kub sheqeri. Pastaj derdh ujë shumë të ftohtë mbi kubin e sheqerit. Kjo e shpërndan sheqerin dhe tretësira bie në gotë, duke i dhënë pijes një mjegullim të gjelbër. Vetëm atëherë pihet. Fare pa pretendime, apo jo?
Glikanxoja ishte jashtëzakonisht popullore në Francën e fundit të viteve 1800, kur Van Gogu jetonte atje. Kur u krijua fillimisht, konsiderohej pije e elitës intelektuale dhe pihej kryesisht nga artistë e shkrimtarë. Por në vitet 1880, një sëmundje preku vreshtat franceze, vera u bë shumë e shtrenjtë dhe glikanxoja u bë alternativa më e lirë, ndaj u kthye në pijen e të varfërve dhe të shtypurve. Kjo ishte ideale për Van Gogun, sepse ai ishte një artist intelektual dhe tepër i varfër. Ai dëshironte terpenet e glikanxon dhe pinte sasi të çmendura, shumë më shumë se çdo njeri tjetër. Fatkeqësisht, megjithëse glikanxoja kishte shumë alkool, përmbante vetëm sasi të vogla terpeneje, kështu që nuk i mjaftonte për të kënaqur dëshirën e tij.
Ai e gjente pjesën tjetër të terpeneve në burime edhe më të rrezikshme. Disa terpene përdoren në produkte konsumi si parfumet, pesticidet dhe tretësit për pastrim. Natyrisht, këto nuk janë për t’u ngrënë, por kjo nuk e ndaloi Van Gogun. Kjo është një gjendje psikiatrike e quajtur pica, dëshira e panatyrshme për të konsumuar objekte që nuk janë ushqim. Van Gogu ishte piktor, dhe studioja e tij ishte e mbushur me përbërës artistikë të mbushur me terpene, si bojëra dhe terpentinë. Në fakt, fjala “terpene” vjen nga një mënyrë e vjetër e të shkruarit “turpentine”. Lajmi i mirë për Van Gogun ishte se këto përbërës përmbanin shumë terpene; lajmi i keq ishte se ishin jashtëzakonisht helmues dhe konsumimi i tyre shkaktonte dëme në tru.
Konsumi i tepërt i terpeneve shkakton luhatje humori, kriza epileptike, humbje ndjenjash, halucinacione dhe sjellje psikopatike. Asnjë person në gjendje normale mendore nuk do të zgjidhte të vuante këto pasoja, ndaj pse vazhdonte Van Gog ta bënte këtë? Epo, siç e keni kuptuar tashmë, dikush që ha bojë dhe pi terpentinë, ndoshta nuk është shembull i arsyes. Van Gog mori shumë vendime të këqija në jetë, pinte duhan, pinte alkool pa masë, frekuentonte shpesh bordelet dhe prekej nga një sërë sëmundjesh seksualisht të transmetueshme, përfshirë sifilizin, që shkakton dëme në tru. Përveç kësaj jete shumë të pashëndetshme, ai konsumonte bojë që përmbante plumb dhe toksina të tjera, dhe pinte tretës industrialë për hollim boje. Për këtë njeri, fundi nuk mund të ishte i mirë.
Pica nuk ishte e vetmja sëmundje mendore që kishte. Mjekët kanë kaluar dekada duke u përpjekur të përcaktojnë saktësisht se çfarë kishte Van Gogu. Ka dhjetëra teori: epilepsi, skizofreni, çrregullim bipolar, sifiliz, çrregullim personaliteti kufitar, psikozë cikloide, delirium tremens, çrregullim maniako-depresiv, madje edhe goditje nga dielli, por diagnoza e saktë mbetet e panjohur. Është e qartë se vuante nga një çrregullim psikotik episodik, që do të thotë se kalonte kriza gjatë të cilave sillte në mënyra të rrezikshme e të paparashikueshme. Kishte një model të përsëritur: humbte ndjenjat, bënte diçka të tmerrshme, dhe kur i kthehej vetëdija, njerëzit e shihnin me tmerr, por ai nuk kishte kujtim për çfarë kishte bërë.
Shembulli më famëkeq është kur preu veshin e majtë. Të gjithë e dinë që Van Gogu e preu veshin në një shpërthim zemërimi, por a e dini çfarë bëri më pas? Shkoi në bordellon që frekuentonte dhe ia dhuroi veshin e prerë një shërbëtoreje të mitur të quajtur Gabrielle, që pastronte dhomat. Sigurisht, kur u mor në pyetje në spital, Van Gogu nuk mbante mend asgjë. Por ai e përjetësoi ngjarjen në disa autoportrete ku shihet me fashë në kokë që mbulon veshin e prerë.
Për shkak të sjelljeve gjithnjë e më vetëshkatërruese, Van Gogu e kuptoi se nuk mund të jetonte i pavarur. Vendosi të shtrohej vetë në një institucion mendor, dhe kjo ishte një zgjedhje e duhur, sepse pak para se të shtrohej, ishte ndalur me zor nga pirja e një litri terpentine direkt nga shishja. U shtrua me 8 maj 1889, në moshën 36-vjeçare, disa muaj pas ngjarjes me veshin, me plagën ende të pa shëruar dhe fqinjët ende të tmerruar prej tij. Qëndroi atje për pak më shumë se një vit, dhe spitali bashkë me kopshtin e tij u bënë subjektet kryesore të pikturave të tij gjatë atij viti. Pikërisht gjatë qëndrimit atje, ai pikturoi “Natën me yje”, një nga veprat e tij më të famshme. Përgjithësisht, jeta në institucion i ofroi qetësi dhe stabilitet, dhe meqë ishte i shtruar me dëshirë, herë pas here lejohej të pikturonte jashtë apo të udhëtonte për ekspozita në Bruksel dhe Paris.

Fatkeqësisht, një vit pas shtrimit, Van Gogu ndryshoi mendje, tha se ndiente se ishte i burgosur dhe këmbënguli se duhej të jetonte i lirë. Spitali e la të largohej (meqë ishte i shtruar vullnetarisht) dhe ai u vendos në një fshat të vogël në veri të Parisit, ku planifikoi të jetonte në natyrë, të pikturonte gjithë ditën dhe të ishte i lumtur. Një mjek dashamirës, Paul Gachet, që banonte afër, pranoi ta mbante nën vëzhgim. Por mbikëqyrja e tij sporadike nuk ishte aspak efektive për të përballuar shpërthimet e papritura të çmendurisë së Van Gogut. Në dukje gjithçka po shkonte mirë, por me 27 korrik 1890, vetëm dy muaj pasi kishte lënë institucionin, u godit nga një tjetër shpërthim. Këtë herë, qëlloi veten në bark me një revole. Edhe pse nuk preku organet jetësore dhe mori ndihmë mjekësore menjëherë, kjo nuk mjaftoi për ta shpëtuar. Plaga u infektua dhe ai vdiq dy ditë më vonë. Fjalët e tij të fundit ishin: “Trishtimi do të zgjasë përgjithmonë.”
Sot, Van Gogu konsiderohet si një nga artistët më të talentuar që ka jetuar ndonjëherë, dhe pikturat e tij vlejnë qindra miliona dollarë. Por gjatë jetës së tij, nuk pati pothuajse asnjë sukses. Vdiq si një i çmendur, i varfër dhe i panjohur, duke i shkruar vëllait të tij: “Nuk mund të ndryshoj faktin që pikturat e mia nuk shiten.”
Ndoshta, nëse do të kishte jetuar më gjatë, do ta kishte gjetur famën dhe ndoshta edhe pak lumturi. Por nuk ishte e shkruar të ndodhte. Pesha e çmendurisë ishte tepër e rëndë; nuk mundi të shpëtonte nga shpërthimet dhe vetëdëmtimi. Edhe sot do të ishte e vështirë të trajtohej dikush si Van Gogu, por të paktën ekzistojnë ilaçe dhe terapi që mund të ndihmonin në kontrollimin e veprimeve të tij. Por në kohën kur ai jetoi, nuk kishte mënyrë që mjekët t’i jepnin atë që ai dëshironte më shumë, një jetë të qetë në fshatin francez, ku mund të pikturonte dhe të ishte i lumtur. / Big Think - Syri.net
© SYRI.net