Shkon në katër numri i karabinierëve nën hetim për vdekjen e Elton Banit, 41-vjeçarit shqiptar që vdiq më 17 gusht 2025 në hollin e hyrjes së shtëpisë së tij në Manesseno (Genoa), pasi u godit me armë elektrike (taser)
Dy karabinierët që përdorën armën me impulse elektrike ishin regjistruar menjëherë si të dyshuar për vrasje nga pakujdesia, por tashmë ndaj tyre rëndon edhe akuza për falsifikim të aktit publik, së bashku me dy kolegë të tjerë që ndodheshin në vendngjarje gjatë ndërhyrjes.
Akuza e re lidhet me mospërputhjet mes asaj që është raportuar në procesverbalet e shërbimit dhe dëshmive të dy fqinjëve, të cilët prokurorja Paola Calleri, që drejton hetimet, ka kërkuar t’i marrë në pyetje informon ANSA.
Karabinierët kishin deklaruar se përdorimi i taserit ishte i domosdoshëm, pasi 41-vjeçari i kishte goditur me shqelma dhe grushte dhe ishte jashtë kontrollit. Megjithatë, sipas dy fqinjëve, të cilët kanë dhënë një version të ndryshëm dhe të përputhshëm mes tyre, Elton Bani nuk ishte i armatosur. Ata kanë sqaruar se në një moment ai kishte refuzuar të ngjitej në shkallët e banesës, i shoqëruar nga karabinierët për të marrë dokumentet, ishte kapur pas parmakut, ishte hedhur në tokë dhe ishte goditur me shkarkesën e dytë të taserit ndërsa ndodhej me fytyrë përtokë në hyrjen e pallatit, pasi mbante njërën dorë poshtë barkut dhe katër efektivët nuk kishin arritur t’i vendosnin prangat.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, pikërisht kjo shkarkesë e fundit elektrike dyshohet se ka shkaktuar arrestin kardiak te 41-vjeçari. Raporti thekson se ai kishte konsumuar kokainë, e cila është konsideruar “bashkëshkak” i vdekjes së bashku me goditjet elektrike.
Përmes incidentit provues, prokuroria, avokatët mbrojtës të të hetuarve — mes tyre Mario Lavicoli, që përfaqëson dy prej karabinierëve — si dhe avokati Cristiano Mancuso, që mbron vëllain e viktimës, do të kenë mundësi t’u drejtojnë pyetje dy dëshmitarëve okularë. Seanca ende nuk është caktuar. /ANSA/
© SYRI.net