Trafik droge nga Amerika Latine me kartelet shqiptare/ Goditet krimi i organizuar në Romë

Trafik droge nga Amerika Latine me kartelet shqiptare/ Goditet krimi i organizuar në Romë

11:40, 29/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Mauro Cifelli, ROMA TODAY

Blic në agim në lagjet Magliana dhe Trullo të Romës. Në shënjestër të hetuesve ishte një organizatë kriminale që vepronte në zonën jugperëndimore të kryeqytetit italian, e drejtuar nga dy persona me precedentë penalë romanë, Sergio Gioacchini dhe Roberto Caputo.

Hetimet e Karabinierëve dhe Prokurorisë Antimafia zbuluan lidhje të nivelit shumë të lartë të grupit kriminal, i cili ishte në gjendje të negocionte ngarkesa të mëdha droge duke pasur kontakte direkte me furnitorë në Amerikën e Jugut për import ajror, me kartele të fuqishme shqiptarë që veprojnë në veri të Italisë, si dhe me figura kryesore të krimit të organizuar roman dhe klaneve kalabreze.

Brutalitet kriminal

Masa e arrestit lindi nga një hetim kompleks që, falë analizës së bisedave të koduara dhe përgjimeve telefonike e ambientale, bëri të mundur çmontimin e organizatës së drejtuar nga Roberto Caputo dhe Sergio Gioacchini, ky i fundit vëllai i Andrea Gioacchini-t, i vrarë me armë zjarri më 10 janar 2019 në Magliana.

Operacioni nxori në pah një nivel ekstrem brutaliteti kriminal dhe ngjarje me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Trafik droge

Organizata menaxhonte qindra kilogramë drogë. Në një rast të dokumentuar, grupi kishte në posedim 500 kilogramë hashash dhe furnizime të mëdha me kokainë shumë të pastër, me vlerë qindra mijëra euro, pjesërisht të zbuluara dhe sekuestruara në ambiente pallatesh të përdorura si magazina.

Ekspedita ndëshkuese

Grupi përdorte edhe “ekspedita ndëshkuese”. Për të rikuperuar një borxh prej 20 mijë eurosh të lidhur me trafikun e drogës dhe blerjen e makinave, drejtuesit urdhëruan rrahjen brutale të një bashkëpunëtori të tyre që nuk kishte paguar. Viktima, e sulmuar barbarisht nga dy ekzekutorë, pësoi plagë të rënda në fytyrë dhe shpim të mushkërisë.

Shfrytëzim prostitucioni

Krerët e organizatës kishin vënë në dispozicion një apartament për një shpërndarëse droge të varur nga substancat narkotike, duke e detyruar të prostituohej. Gruaja detyrohej të dorëzonte pothuajse të gjitha fitimet nga prostitucioni në arkën e klanit përmes rimbushjeve Postepay, ndërsa një anëtar i grupit merrte 50 euro për çdo klient që hynte në apartament.

Armë dhe plane vrasjesh

Hetimet zbuluan disponueshmëri armësh zjarri, e konfirmuar nga sekuestrimi i një revolveri kalibër 22 dhe municionesh. Në bisedat e koduara, drejtuesit diskutonin edhe sigurimin e armëve të luftës, përfshirë pushkë sulmi M4 me dylbi dhe armë gjahu taktike, me synimin për të organizuar atentate ndaj figurave kryesore të klaneve rivale.

Dy arrestime në flagrancë

Gjatë kontrolleve të mëngjesit, Karabinierët arrestuan edhe dy persona të tjerë të kapur me sasi të mëdha kokaine dhe armë të ndryshme.

Arsenal armësh

Gjatë bastisjeve u sekuestrua një arsenal i vërtetë:

-një pushkë sulmi AK-47 (Kallashnikov),

-një automatik Skorpion,

-një armë gjahu me tytë të prerë,

-një pistoletë,

-një jelek antiplumb,

dhe 650 gramë kokainë.

Në banesën e personit tjetër u gjetën:

-100 gramë kokainë,

-170 gramë hashash,

dhe 35 gramë mannitol (substancë për përzierjen e drogës).

Gjithashtu u sekuestruan tre orë luksoze dhe 15 mijë euro cash.

Sekuestrim pasurish

Karabinierët e njësisë hetimore të Romës zbatuan edhe një urdhër sekuestrimi pasurish ndaj familjes së një prej organizatorëve:

-një makinë,

-një motor,

-kuota kompanish,

dhe karta Postepay që dyshohet se përdoreshin për të qarkulluar fitimet nga droga dhe prostitucioni.

Shtatë arrestime

Në operacionin e zhvilluar në Trullo dhe Magliana, Karabinierët ekzekutuan urdhër-arreste për shtatë persona, të akuzuar për:

-organizatë kriminale për trafik droge,

-shpërndarje narkotikësh,

-zhvatje me rrethana rënduese,

-armëmbajtje të paligjshme,

dhe shfrytëzim prostitucioni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco