Edhe pse është pjesë e UNESCO-s dhe një zonë me potencial të madh turistik, fshati Lin i Pogradecit përballet me mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza. Banorët shprehen të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe ndotjen që po dëmton ekosistemin, ndërsa janë të zhgënjyer nga neglizhenca ndër vite për zgjidhjen e kësaj problematike.
Syri tv
Fshati turistik i Linit, një nga zonat më të njohura pranë liqenit të Ohrit dhe pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, vijon të përballet me mungesën e sistemit të kanalizimeve për ujërat e zeza. Edhe pse është një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike në vend dhe pjesë e programit të 100 fshatrave, problemi mbetet ende pa zgjidhje.
Banorët e zonës shprehen të zhgënjyer nga neglizhenca ndër vite, duke thënë se situata nuk ka ndryshuar, pavarësisht premtimeve të bëra. Sipas tyre, një pjesë e ujërave të zeza derdhen në liqen, ndërsa shumë banesa vazhdojnë të përdorin ende gropa septike, çka përbën rrezik për ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e banorëve.
Ata theksojnë se ndotja po dëmton jo vetëm jetën e përditshme të komunitetit, por edhe potencialin turistik të fshatit. Kjo situatë po ndikon në ekosistemin e liqenit, duke sjellë pasoja për florën dhe faunën ujore, ndërsa vihet re edhe rënie e numrit të peshqve, për të cilët zona njihet prej vitesh.
Projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve është premtuar disa herë, por zbatimi i tij është shtyrë vazhdimisht. Megjithatë, banorët shpresojnë që projekti i fundit, i cili tashmë ka nisur fazën e punimeve në fshat, të mos mbetet vetëm në letër. Sipas planifikimit, investimi parashikon përfundimin e punimeve brenda 15 muajve, me synimin për t’i dhënë fund një problemi që prej vitesh shqetëson komunitetin dhe vizitorët e zonës.
© SYRI.net