Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë arrest në burg me një masë më të butë, si arrest shtëpie, detyrim paraqitje ose garanci pasurore. Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit të vitit të kaluar teksa po gjykohet me procedurë të zakonshme me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën dhe disa biznesmen, shoqëri e OJF. Kryebashkiaku ka 13 akuza për 5 vepra penale. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Gjykatën e Lartë për rishqyrtimin e masës së Veliajt, vendim i cili do të duhet të rishqyrtohet nga Gjykata e Lartë pas zbardhjes së vendimit të Kushteteueses.
SYRI TV
Gjykata e Lartë me trupë gjykuese Albana Boksi, Sokol Binaj, Genti Shala rrëzuan rekursin e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës përmes të cilit kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë arrest në burg.
Vendimi i kësaj të enjte (28 maj) lë në qeli Veliajn që ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej 12 shkurtit të vitit të kaluar.
Kryebashkiaku kërkoi një masë më të butë, si arrest shtëpie, detyrim paraqitje ose garanci pasurore, duke e lënë në vlerësimin e gjykatës, që për rrjedhojë do sillte shfuqizimin e vendimit të Apelit të Posaçëm të datës 24.02.2026.
Kjo kërkesë e Veliajt vjen pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë duke ndryshuar praktikën e vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Tashmë togat e zeza të Gjykatës së Lartë duhet të arsyetojnë veç vendimmarrjes edhe arsyet pse nuk caktuan një masë tjetër.
Veliaj akuzohet për 13 vepra penale, ku vetëm për korrupsion e ka në 9 episode, teksa SPAK dhe gjykatat më të ulta e konsiderojnë si subjekt me rrezikshmëri të lartë për të ndikuar tek provat dhe dëshmitarët.
Kryebashkiaku po gjykohet me procedurë të zakonshme në GJKKO me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa e disa biznesmenë e shoqëri tregtare.
Sipas SPAK, çifti kishin krijuar një skemë komplekse për përvetësimin e fondeve të Bashkisë Tiranë duke i kaluar shoqatave dhe OJF-ve të kontrolluara nga Ajola Xoxa. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa prej pretendimeve të Erion Veliajt si dhe ktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë duke i lënë detyrë të arsyetojë pse nuk mund ti caktohet një masë tjetër përveç asaj të arrestit në burg si dhe pretendimit të të pandehurit për të mos u mbajtur në kafazin e qelqtë gjatë gjykimit.
© SYRI.net