Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 14-të e protestave kundër Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Maliq/ Zbulohet 'laborator' droge poshtë kotecit të pulave - 1 i arrestuar, një tjetër në kërkim

Maliq/ Zbulohet 'laborator' droge poshtë kotecit të pulave - 1 i arrestuar, një tjetër në kërkim

16:51, 11/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ambient i përshtatur për të kultivuar dhe përpunuar drogë ishte ndërtuar nën një kotec shpendësh, në fshatin Vreshtas, Bashkia Maliq, zbuluan hetimet proaktive të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës sē Parë të Juridiksionit të Përgjithshëk Korçë që çuan në arrestimin e një shtetasi ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Shtetasi K.L është arrestuar i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa është shpallur në kërkim një person tjetër i dyshuar për disa vepra penale

Laboratori

Gjatë kontrolleve të ushtruara u zbulua një ambient i fshehtë i ndërtuar nën një kotec shpendësh, i maskuar dhe i përshtatur posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa. Hyrja në këtë ambient realizohej përmes një hapësire të improvizuar, e cila të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë.

Nga këqyrja e këtij ambienti rezultoi se ai ishte organizuar në mënyrë profesionale, me mure të veshura me materiale termoizoluese, të përshtatura për ruajtjen e temperaturës dhe lagështirës. Ambienti ishte i pajisur me sisteme të ndryshme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje, përfshirë llampa elektrike të posaçme, pajisje për rregullimin e temperaturës dhe lagështirës, si dhe tubacione për qarkullimin e ajrit. Po ashtu ishte instaluar edhe një sistem furnizimi me ujë dhe një sistem i organizuar për ujitjen e bimëve, informoi sot prokuroria e Korçës.

Në këtë hapësirë u konstatuan zona të veçanta të përshtatura për tharjen e bimëve, ku bimë të të dyshuara cannabis sativa ishin të varura në struktura të improvizuara. Në dysheme janë gjetur dhjetëra vazo të mbushura me dhe, me mbetje kërcelli të bimëve të prera, si dhe materiale dhe pajisje ndihmëse për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Nga veprimet hetimore u sekuestruan rreth 5.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në forma të ndryshme (ë proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla), një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kokainë, pajisje të ndryshme për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike (vazo, llampa ndriçimi, sistem ventilimi, peshore elektronike), si dhe një armë në formën e pistoletës me bombol gazi të kompresuar.

Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco