Një 49-vjeçar nga Bullgaria është arrestuar sot nga Policia e Dibrës pasi akuzohet për trafikimin e 21 personave nga kufiri me dokumente të falsifikuara.
Nën procedim u morën edhe administratori dhe ish-administratori i Njësisë Ostrem, në Bulqizë, kurse aksioni u krye në pikën kufitare Bllatë.
“Si rezultat i hetimeve të kryera, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, u finalizua me sukses operacioni policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari”, thanë burime zyrtare.
Operacioni u bë nga Zyra kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar.
“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare”, sqaroi policia vendore.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit N. S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë dhe B. M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren.
Hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Dibrës për të zbardhur plotësisht skemën dhe personat e përfshirë.
Njoftimi i Policisë Dibër:
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara se disa shtetas falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi.
Si rezultat i hetimeve të kryera, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë;
M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Këta dy shtetas gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”.
© SYRI.net