Gjykata e Lartë pas një kalvari dy vjeçar procesesh në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ka vendosur të shuajë dënimin me 15 vjet burg për 55-vjecarin nga Saranda, Alqi Paguni, i dënuar me 15 vjet burg për “Masakrën e Qafë Gjashtës” ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.
Vendimi mësohet se është marrë dy muaj më parë, por është zbardhur ditët e fundit. Gjykata e Lartë ka vendosur se dënimi prej 15 vitesh burg, i dhënë në 11 maj 2011 nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe marrë formë të prerë pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 13 mars 2014, është parashkruar dhe si rrjedhojë Alqi Paguni tashmë është i lirë.
E vetmja anëtare e trupit gjykues që ka votuar kundër këtij vendimi, është Albana Boksi. Sipas saj, “në rastin konkret ka një dënim të përcaktuar me 15 vjet burgim. Dënimi në këtë rast nuk është gjer në 15 vjet burgim, por është i përcaktuar saktë 15 vjet burgim dhe në kushtet kur është i përcaktuar si 15 vjet burgim, ai përfshihet tek shkronja “a” e nenit 68 të KP, e cila përcakton afatin 20 vjeçar për vendimin që përmban dënim me 15 vjet. Nëse dënimi do të ishte 15 vjet pa 1 (një) ditë, atëherë për këtë dënim do të zbatohej afati 10 vjeçar i parashkrimit të parashikuar nga shkronja b) e nenit 68 të KP”.

Alqi Paguni i’u nënshtrua një kalvari procesesh në të treja shkallët e gjyqësorit. Fillimisht në 2024, Gjykata e Sarandës e pranoi kërkesën e tij për parashkrimin e dënimit. Pas apelimit nga Prokuroria, Gjykata e Apelit në 2025 e rrëzoi kërkesën. Çdo gjë lidhej me interpretimin nëse dënimi kërkonte 10 apo 20 vjet të parashkruhej, duke pasur si thelb togfjalëshin: “gjer në 15 vjet burgim”, pasi sipas kodit Penal, dënimet gjer në 15 vjet burg duan 10 vjet të parashkruhen, ndërsa 15 vjet deri në 25 vjet burgim, duan 20 vjet të parashkruhen.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë duket se i hap rrugë parashkrimit të dënimit edhe për një tjetër të dënuar të “Masakrës së Qafë Gjashtës”. Bëhet fjalë për 56-vjecarin Aleksandër Bala, edhe ai i dënuar me 15 vjet.
Cuditërisht Gjykata e Sarandës mbajti dy qëndrime të ndryshme gjatë shqyrtimit të kërkesave, duke pranuar parashkrimin për Alqi Pagunin në dhjetor 2024 dhe duke e rrëzuar për Aleksandër Balën në prill 2025, edhe pse të dënuar me të njëjtën periudhë në të njëjtën kohë. Nuk dihet nëse Bala e ka apeluar apo ka bërë rekurs për vendimin e Gjykatës së Sarandës që rrëzoi kërkesën e tij. I fundit i dënuar me 15 vjet burg për këtë çështje është edhe 64-vjecari Mikel Kendezi alias Flamur Kendezi alias Vladimir Kendezi, i njohur ne Greqi me pseudonimin “Papai”, për të cilin nuk ka informacion nëse ka kërkuar parashkrim të dënimit. Dy të kërkuarit e tjerë të kësaj dosje, kanë dënime nga 16 vjet burg dhe dënimet u parashkruhen në vitin 2034.
Alqi Paguni, pronar i një karburanti në Sarandë, u arrestua nga policia në nëntor 2007 pas një operacioni të madh të policisë për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Masakrës së Qafë Gjashtës”.
Ata akuzoheshin se në 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Eduard Aliaj dhe tentuan të vrasin oficerët e policisë Sokol Bizhga e Myzafer Blushi. Për ngjarjen në fjale u arrestuan Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Cipa e Edmond Sejko si dhe u shpallën shumë të tjere në kerkim. Nga te gjithë të akuzuarit, vetëm vëllezërit Sinani kryen dënimin e tashme kanë dale nga burgu, pasi Cipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit e Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Nderkohë që për Alqi Pagunin, dy shkallet e para të Krimeve te Renda dhanë fillimisht “Arrest ne burg” ndërsa në 13.02.2008 Gjykata e Larte e la ate të lire duke e quajtur te paligjshem ndalimin e tij dhe duke mos caktuar fare masë sigurimi. Kjo i hapi rruge arratisjes se Pagunit drejt Greqisë, duke bërë që gjyqi ndaj tij të bëhej në mungese e pas denimit të shpallej në kërkim.
© SYRI.net