Dy vëllezër shqiptarë, të dënuar për vrasje që prej fillimit të viteve 2000, janë arrestuar në Itali falë një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. Kapja e tyre u bë e mundur pas një shkëmbimi në kohë reale të informacioneve dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar të identifikimit biometrik.
Bëhet fjalë për Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ata ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 për “vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje. Artur Mehilli ishte dënuar me 15 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Arben Mehilli me 16 vjet e 6 muaj.
Ngjarja për të cilën ata u dënuan daton në vitin 1999, kur në Lushnjë vranë me armë zjarri një shtetas për motive gjakmarrjeje. Viktima, sipas hetimeve, kishte vrarë më herët vëllanë e tyre në vitin 1997.
Pas krimit, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë, ku jetonin prej vitesh duke përdorur identitete të rreme. Ata kishin arritur të siguronin edhe dokumente qëndrimi, duke u prezantuar me gjeneralitete të ndryshuara.
Zbulimi i vendndodhjes dhe identifikimi i tyre u realizua falë përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”. Ky sistem bëri të mundur verifikimin e identitetit të tyre, pavarësisht dokumenteve të falsifikuara.
Njoftimi i policisë:
Kapen në Itali, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, dy vëllezër të dënuar për vrasje.
Në vitin 1999, në Lushnjë, vranë me armë zjarri shtetasin që kishte vrarë vëllanë e tyre.
Vëllezërit, të dënuar me 32 vjet burgim, kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete false.
Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës.
Në kuadër të operacioneve ndërkombëtare të njëpasnjëshme, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit dhe besueshmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit ndaj homologëve dhe partnerëve evropianë, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, siguruan informacion për vendndodhjen në Itali, të dy vëllezërve të dënuar për vrasje.
Informacioni u shkëmbye mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me koordinimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit.
Si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht:
-shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim;
-shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim.
Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.
Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.
Identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.
Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri.
© SYRI.net