Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi. Siç raportohet, GJKKO e ka shpallur fajtor për pastrim parash, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Taçi ndodhet në arrati që prej vitit 2022, ndërsa i gjithë procesi gjyqësor është zhvilluar pa praninë e tij. Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka kërkuar edhe konfiskimin e kalimin në pronësi të shtetit të 18 milionë eurove të mafies italiane.
Për të njëjtën çështje, nën hetim janë edhe 3 shtetas italianë, si bashkëpunëtorë të Taçit.
Sipas hetimeve, transferimi dhe fshehja e shumës monetare (18 milionë euro) është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16%, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Kujtojmë se në vitin 2024, Prokuroria e Tiranës e çoi në gjyq me dyshimet se ai kishte krijuar një skemë mashtrimi me TVSH-në, përmes dy shoqërive tregtare.
© SYRI.net