Në lokalet e natës në zonën e ish Bllokut, shitej lirshëm lëndë narkotike. Gjatë periudhës hetimore disa mujore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë. Gjithashtu janë identifikuar 11 shtetas, punonjës ose administratorë të lokaleve të natës, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në brendësi të ambienteve ku ushtronin aktivitetin në një nga zonat më të frekuentuara nga të rinjtë në Tiranë.
Ndërkohë policia ka publikuar pamjet e operacionit të mësymjes së lokaleve për të kryer arrestimet dhe sekuestruar dozat e kokainës dhe tabletat ekstazi gati për tu shitur tek frektuentuesit e lokaleve.
Nga 11 masa sigurie të caktuara nga Gjykata, u ekzekutuan 9 masa sigurie “Arrest në burg”. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë. Ndërkohë, 2 shtetas të tjerë janë arrestuar më parë, gjatë periudhës hetimore.
Arrestohet në flagrancë edhe një 49-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Të arrestuarit
Në kuadër të operacionit të koduar “Night Clubs” u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
E. H., 39 vjeç; A. N., 37 vjeç; K. M., 30 vjeç; R. L., 29 vjeç; E. S., 34 vjeç; E. H., 26 vjeç; M. B., 31 vjeç; A. Gj., 36 vjeç dhe F. K., 32 vjeç.
"Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën doza të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 11 aparate celularë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA).
2 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi O.(D). J., 49 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata" informoi policia.
© SYRI.net