Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka informuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit mbi një formë të re të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, janë hasur raste kur substanca të kanabisit janë futur në karamelet e njohura si “Edibles” ose “Haribo”.
Kreu i Policisë thotë se këto produkte janë të vështira për t’u identifikuar vizualisht, pasi ngjajnë me ëmbëlsira dhe produkte të zakonshme ushqimore, duke rritur rrezikun e konsumimit të tyre nga të miturit dhe fëmijët.
Përmes dokumentit, Policia kërkon nga Ministria e Arsimit rritjen e ndërgjegjësimit në institucionet arsimore dhe informimin e stafit mësimdhënës, nxënësve dhe strukturave vendore mbi rrezikun që paraqet konsumimi i këtyre produkteve.
© SYRI.net