Publikuan video me bluzën 'Shqipëri Etnike', lirohen 4 shqiptarët e ndaluar në Serbi

Publikuan video me bluzën 'Shqipëri Etnike', lirohen 4 shqiptarët e ndaluar në Serbi

11:08, 28/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Katër shtetas shqiptarë të ndaluar nga autoritetet serbe janë liruar pa asnjë masë penale pas përfundimit të seancës gjyqësore në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasit shqiptarë u liruan dhe u sekuestruan vetëm telefonat celularë, të cilët ishin përdorur për të realizuar videot që shkaktuan shqetësim.

Hysi po ashtu njoftoi se katër shtetasit do të largohen nga territori i Serbisë pas përfundimit të procedurave ligjore.

Autoritetet serbe kishin pretenduar se videot përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore. Megjithatë, sipas Hysit, videot tregojnë se personat ishin veshur me veshje kombëtare dhe këndonin këngë që janë të zakonshme dhe të pranuara në komunitetet tifozë.

Edhe kreu i PD, Sali Berisha para disa ditësh ka deklaruar se opozita do të protestojë para ambasadës serbe në Tiranë, nëse Beogradi nuk liron katër shqiptarët e arrestuar një ditë më parë.

Berisha i bëri thirrje autoriteteve serbe që të lirojnë 4 shqiptarët e arrestuar, duke thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje, por vetëm se kanë mbajtur një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

“Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit. Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco