Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 6 persona dhe 5 shoqëri, për mashtrim, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.
Në përfundim të hetimit të nisur pas kallëzimit të shtetases M.H., rezultoi se gjithçka nisi pasi shtetasi Adnan Mahmuti i kërkoi një hua kësaj shtetaseje 2.200.000 euro, të cilat ajo i kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim që ai dhe ortaku i tij Saimir Gora, t’i investonin në biznes. Ky shtetas ishte aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike. Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softwerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Adnan Mahmuti, ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mashtruar kallëzuesen. Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore si dhe pozitën e tij si administrator dhe ortak në një grup shoqërish (“Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k.), në dëm të shtetases M.H, duke mos zbatuar kontratën për të kthyer shumën e marrë hua si dhe interesat.
Nga tërësia e volumit të transaksioneve të kryera si në shoqërinë Magoware shpk, ashtu edhe në shoqërinë OverSport shpk, rezultoi se këto kompani kanë patur mundësi financiare të vazhdonin të likuidonin huanë e marrë nga shtetasja H.M., por nuk e kanë bërë. Gjithashtu edhe shoqëritë ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me këto subjekte, kanë patur mundësi financiare për të kontribuar në kthimin e shumës së marrë.
Përsa më lart nga analiza e provave të administruara, rezulton se janë përmbushur të gjithë elementët objektivë të veprës penale të mashtrimit. Po kështu, edhe Blerina Kapaj administratore e “TIBO AL” sh.p.k, Blerina Kota administratore e “Oversport” sh.p.k., Mirela Guri administratore e “Oversport” sh.p.k, M.Z administrator i shoqërisë “Tibo Communications” si dhe Saimir Gora në cilësinë e administratorit të “Magoware”, kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera.
Shtetasit në fjalë si dhe kompanitë, kanë konsumuar edhe veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’. Nga ekspertimi kontabël rezultoi se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. admnistruar nga shtetasi Adnan Mahmuti ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “Të tjera të pagueshme”, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues. Në këto rrethana, rezultoi se Adnan Mahmuti, në cilësinë e administratorit të “TIBO” sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë.
Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit rezultoi se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.

© SYRI.net