Një nga banorët e lagjes nr. 14 në qytetin e Korçës ka folur lidhur me situatën e rënduar në familjen Dhëmbi, ku së fundmi janë shënuar disa ngjarje të rënda.
Sipas fqinjit, në këtë familje ka konflikte të vazhdueshme dhe debate të shpeshta, të cilat zgjasin edhe gjatë natës, duke shqetësuar komunitetin përreth. Ai thekson se kjo nuk është hera e parë që ndodhin tentativa të tilla, duke lënë të kuptohet se situata është përsëritur disa herë.
Banori shprehet se gjendja është shqetësuese për të gjithë lagjen, ndërsa shton se familja përballet edhe me probleme të tjera, pasi kryefamiljari ndodhet në burg. Megjithatë, ai nënvizon se banorët ndihen të pafuqishëm për të ndërhyrë apo ndihmuar, pasi çdo përpjekje mund të keqkuptohet nga familja.
Në përfundim, fqinji kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke theksuar se situata kërkon zgjidhje urgjente dhe mbështetje profesionale.
Brenda katër ditëve në familjen Dhëmbi janë shënuar dy ngjarje të rënda që kanë tronditur banorët e zonës. Sipas dëshmive të banorëve, jashtë kamerave, mesditën e kësaj të enjte vajza e dytë e familjes ka tentuar të hidhet nga pallati ku jetojnë. Ndërkohë, vetëm tre ditë më parë, ishte vajza e madhe ajo që kishte tentuar të bënte të njëjtin veprim.
Kujtojmë gjithashtu se rreth pesë muaj më parë, vajza e madhe ishte hedhur nga i njëjti pallat. Këto ngjarje të përsëritura brenda një periudhe të shkurtër kohore kanë shtuar shqetësimin te banorët e zonës, të cilët shprehen se institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë, pasi sipas tyre familja përballet me probleme të theksuara dhe fëmijët ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike.
Banori:
Gjithnjë kanë debate në familje.
Ka herën e tretë këtë më duket.
Shqetësuese është për ne kjo situatë.
Gjithë natën ashtu bëjnë, debate të shumta , zihen bëhen.
Kanë shumë debate në familje, të atin e kanë në burg.
Keq na vjen, është gjynah po s' kemi ça tu bëjmë.
Ne nuk i ndihmojmë dot.
Ti thuash ndonjë llaf ta marrin për keq. Duhet të veprojnë institucionet.
© SYRI.net