Gjykata e Lezhë ka dhënë këtë të mërkurë vendimin përfundimtar për shtetasin portugez Ruben Saraiva, të dyshuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Trupa gjyqësore, e kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica, e dënoi Saraivën me burgim të përjetshëm për akuzën e “vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim dhe për interes.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm familjarë të viktimës, ndërsa procesi ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave portugeze.
Pas shpalljes së vendimit, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani deklaroi se vendimi nuk ishte surprizë dhe, sipas tij, është ndikuar nga opinioni publik dhe jo nga provat. Ai bëri të ditur se çështja do të ankimohet, duke këmbëngulur se klienti i tij është i pafajshëm.
Sipas mbrojtjes, Saraiva ka reaguar i qetë pas vendimit dhe ka mohuar përfshirjen në krim, duke deklaruar se do të presë vendimet e shkallëve të tjera të gjyqësorit.
© SYRI.net