Mori aktet hetimore në qeli, sot seanca e radhës e gjyqit për Veliajn

Mori aktet hetimore në qeli, sot seanca e radhës e gjyqit për Veliajn

09:05, 24/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në seancën e parë, Veliajt iu pranua kërkesa e përsëritur për t'u njohur me aktet e dosjes hetimore. Agjentët e BKH i dorëzuan në qeli 28 mijë faqe nga 72 fashikujt e dosjes, në funksion të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.

Sot mbahet seanca e dytë e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe 28 personave e shoqërive që bëjnë pjesë në këtë dosje.

Në seancën e parë në themel që u zhvillua më 9 mars, Veliaj arriti të siguronte një fitore pasi GJKKO më në fund pranoi kërkesën e tij të përsëritur për të marrë të gjitha aktet e dosjes hetimore.

Ai nuk u paraqit në këtë seancë dhe u përfaqësua nga avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku. Përmes një deklarate, Veliaj pretendoi se nuk ishte zhvilluar ende seanca paraprake dhe, sipas tij, procesi nuk mund të ishte në fazën e gjykimit në themel.

Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa, edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje, më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco