Ashtu si edhe në protestat e kaluara, pasi i dhunoi dhe i sulmoi me ujë, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, Policia e Shtetit ka nisur arrestimet dhe procedimet e qytetarëve të cilët morën pjesë në protestën e opozitës.
15 persona janë arrestuar në lidhje me protestën kombëtare të zhvilluar të dielën nga opozita, ndërsa 9 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Në total janë shoqëruar 24 persona; për 9 ka nisur hetimi në gjendje të lirë, ku përfshihen edhe 5 të mitur që u shoqëruan në komisariate dhe më pas u lanë të lirë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për deputetin e PD-së, Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.
Sipas policisë, protestuesit kanë kundërshtuar forcat e rendit, si dhe kanë hedhur molotov në drejtim të tyre. Si pasojë, 6 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital, por sipas të dhënave, asnjë nuk ka qëndruar për gjatë aty. Ndërkohë, lideri i opozitës Sali Berisha, që vizitoi protestuesit e lënduar te Trauma, tha se efektivët u larguan për të kursyer “spektaklin absurd”, pasi mësuan se do të vizitoheshin nga kryeministri Rama.
Policia tha se ndërmori veprime ndalimi për protestuesit pasi hodhën fishekzjarre dhe dogjën disa kazanë mbeturinash në rrugët e Tiranës, si dhe u dogj një automjet i policisë. Por, ndërkohë, policia nuk flet në asnjë rresht për protestuesit e lënduar nga dhuna policore dhe që morën ndihmë mjekësore në spital.
Gjithashtu, nuk jepet asnjë koment për dhunën dhe agresivitetin e forcave të rendit ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, të cilit iu hodh spraj me piper, gaz lotsjellës dhe ujë, teksa thjesht po marshonte krah protestuesve në afërsi të godinës së AKSHI-t, si dhe për deputetin demokrat Xhelal Mziu, që u dhunua nga policia në rrugën e Elbasanit.
Brenda 72 orëve, 15 të arrestuarit pritet të dalin para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masave të sigurisë.
© SYRI.net