Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në kryeqendrën e Veriut, në lagjen ‘Kiras’ një zonë e njohur si bastion i grupit të lidhur me Ibrahim Licin, të cilin në Shkodër shpesh e quajnë si ‘Fantazma’.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, u bë i mundur arrestimi i Ervis Bebës, 43 vjeç, i cili dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin lëviznin personat e përfshirë në incidentin që përfshiu edhe kanosjen me armë zjarri ndaj punonjësve të Policisë. Së bashku me të është ndaluar edhe një i mitur 17-vjeçar, që ndodhej si pasagjer në të njëjtin automjet.
Nga hetimet rezulton se në automjet ndodhej edhe Barush Bregu, 40 vjeç, i konsideruar si një nga personat e afërt dhe krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Ai është identifikuar si personi që gjatë ndjekjes nga Policia dyshohet se ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e efektivëve dhe për të mundësuar largimin nga vendi i ngjarjes. Bregu është shpallur në kërkim dhe ndaj tij vijojnë kërkimet intensive.
Për këtë arsye, forcat e Policisë u vunë në ndjekje të mjetit, mirëpo gjatë ndjekjes, Barush Bregu ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër në drejtim të efektivëve, duke tentuar t’i frikësojë ata dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.
Skeda e Bajram alias Barush Bregut
Bajram Bregu (Barush Bregu) nuk është emër i panjohur për policisë, mbi të gjitha ai njihet si krahu i djathë i Ibrahim Licit. Ky i fundit i njohur ndryshe si ‘fantazma’ është armik i përbetuar i fisit Bajri apo Bajroviç.
Barush Bregu është dënuar në vitin 2016 me 4 vite burgim i akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018 gjatë një aksioni policor të zhvilluar pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjetën armë zjarri automatike, ku në njërën prej tyre u konstatuan gjurmë gishtërinjsh të Barush Bregut.
Në mars të vitit 2019 kur në lagjen Kiras u ekzekutuan vëllezërit Ibrahim dhe Astrit Bilali, i dyshuari kryesor ishte Ibrahim Lici, ndërsa Barush Bregu akuzohej si përkrahësi kryesor i atentatorit. Ky i fundit u arresua në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë pas një operacioni policor.
Barjam Bregu është i dyshuar për përfshirjen e tij në një sërë ngjarjesh kriminale të regjistruara në Shkodër përkrah Ibrahim Licit, i cili sot e kësaj dite vijon të jetë në arrati.
© SYRI.net