Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda do jetë gjyqtari relator për shqyrtimin e rekursit të Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të saj Erald Elezi.
Kërkesa ka mbërritur të hënën ndërsa ka objekt kundërshtimin e vendimit të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,që pezulloi nga detyra Ballukun dhe i ndaloi daljen jashtë vendit, dhe la në arrest shtëpi dy ish-drejtorët Erald Elezi e Gentian Gjyli.
Por ende nuk është caktuar një datë për shqyrtimin e rekursit dhe vendimin e dhënë nga GJKKO dhe Shkalla e dytë e kësaj gjykate, Apeli i Posaçëm.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ish numri dy i qeverisë u shkarkua nga kryeministri Edi Rama, teksa ky i fundit formatoi thuajse gjysmën e kabinetit të tij qeverisës pas presionit të brendshëm politik dhe atij ndërkombëtar për t’i ‘dorëzuar’ Belinda Ballukun organeve të drejtësisë.
Prej më shumë se dy muaj, SPAK ka depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, por që me vendimin e së hënës, 9 mars në mbledhjen e grupit të PS, u tha qartazi se imuniteti i saj nuk do të dorëzohet.
Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për procedurat e tenderimit të Tunelit të Llogarasë dhe katër Loteve të Unazës së Madhe në Tiranës, për të cilën prokurorët e Posaçëm thanë se ish zëvendëskryeministrja rrezikon një maksimum dënimi prej 35 vitesh burg, nëse provohen akuzat ndaj saj edhe në Gjykatë.
© SYRI.net