Blenë vota për PS në zgjedhjet e 11 Majit në Kurbin- GJKKO 'amniston' 3 patronazhistët e Ramës

Blenë vota për PS në zgjedhjet e 11 Majit në Kurbin- GJKKO 'amniston' 3 patronazhistët e Ramës

17:22, 05/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli sot fajtor tre personave të akuzuar për blerje votash në Qarkun e Lezhës për të mbështetur Partinë Socialiste gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 por i 'amnistoi' burgun.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Rudina Palloj vendosi pezullimin e masës së dënimit dhe vendosjen në shërbim prove për një vit e gjysmë për tre të pandehurit Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja. Pra, ata nuk do të bëjnë as një ditë burg.

Gersi Kaçorri u shpall fajtor për korrupsion aktiv ndërsa Besnik Uka dhe Artur Jahja u shpallën fajtor për korrupsion pasiv në zgjedhje. Ata u dënuan me nga një vit burg secili, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj, i cili më pas u konvertua në shërbim prove.


Sipas SPAK, ata akuzoheshin se gjatë fushatës zgjedhore, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe u dhanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.

Hetimi evidentoi se ata kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të Partisë Socialiste, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit vërejti se Partia Socialiste, PS në pushtet përdori gjerësisht burime publike në fushatë.

Sipas raportit, PS përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit.

Po ashtu, u raportuan shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë, mungesë e informimit të pavarur mediatik, blerje votash dhe përfshirja e elementëve kriminalë.

Të tre të pandehurit janë  hetuar dhe marrë nën akuzë pa masë sigurie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco