Kompania e hidrocentralit i padit, banorët e Matit dhe Mirditës protestë para gjykatës: Po na bëjnë presion

15:05, 26/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dhjetëra banorë dhe aktivistë janë mbledhur para Gjykatës së Lezhës në mbështetje të tre bashkëqytetarëve të tyre, të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania që po ndërton hidrocentrale në zonën e Zall-Gjoçajt. Sipas protestuesve, padia është një formë presioni i hapur për të heshtur zërin e tyre kundër shkatërrimit mjedisor që po shkaktojnë këto projekte.

Ata denoncojnë një drejtësi me dy standarde. Ndërsa padia e kompanisë kundër aktivistëve Dhimitër Koleci, Adem Gjokola dhe Gjergji Locaj po procedohet me shpejtësi, duke mbajtur tashmë seancën e tretë brenda pak muajsh, kallëzimet e vetë banorëve kundër kompanisë për falsifikim dhe shpërdorim detyre flenë në sirtaret e prokurorisë prej pesë vitesh pa asnjë veprim.

“Kjo është një presion i hapur që aktivistët dhe banorët e Zall-Gjoçajt të mbyllin gojën, të mos flasin, të mos bëjnë protesta”, shprehet një prej tyre, duke theksuar se ndërsa çështja e tyre zvarritet, ajo e firmës private gjen zgjidhje brenda një muaji e gjysmë.

Akuzat e banorëve ndaj kompanisë janë të rënda. Ata pretendojnë se ndërtimi i HEC-eve ka shkaktuar një “masakër mjedisore”. “Firma ka prishur imazhin e atij vendi, sepse e ka kthyer gjithë zonën në një shkretëtirë të vërtetë”, deklaron një tjetër banor. Sipas tyre, kompania ka hapur një tunel 4 kilometra të gjatë për të “grabitur” ujin, duke shkaktuar vdekjen e gjallesave të lumit dhe duke e lënë zonën pa ujë, element jetik për komunitetin. “Pa ujë nuk jetohet”, thotë një banore e moshuar.

Protestuesit e konsiderojnë padinë një sulm ndaj fjalës së lirë dhe të drejtave kushtetuese. Të vendosur për të mos u tërhequr, ata kërkojnë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe hetimin e plotë të dëmeve të shkaktuara. “Vetëm Zoti i madh do na mbylli gojën”, shprehen ata, duke shtuar se ky presion vetëm sa po ua shton më shumë vendosmërinë.

Në sfond të kësaj situate qëndron edhe akuza se institucionet ligjzbatuese në qarqet Lezhë e Dibër, prej vitesh janë vënë në shërbim të kompanive private, duke ndjekur dhe proceduar penalisht banorët që guxojnë të protestojnë për të mbrojtur pasuritë e tyre natyrore.

Sipas qytetarëve të paditur, ky është një presion i hapur që po ju bëhet banorëve dhe se është kjo kompani që ka shkatërruar zonën. Ata kërkojnë që drejtësia të jetë e barabartë dhe të hetohen dhe kallëzimet e tyre që kanë bërë për falsifikime dhe shpërdorim detyre.

Deklaratat e banorëve:

'Në mbrojtje të këtyre lumenjve, ka ngritur një padi penale ndaj aktivistëve të Zallgjoçaj, Dhimitër Koleci, Adem Gjokola dhe Gjergji Locaj.

Për prishje imazhit të firmës. Në këtë kohë që paditë tona, banorëve, padi penale që është bërë në Tiranë ka pesë vjet, që s'na ka thirrur njeri, padinë në SPAK që ka ardhur hetimet në Lezhë, ka pesë vjet që s'na ka thirrur njeri fare. Kurse firma brenda muajit bën një padi për prishje imazhi të aktivistëve të Zallgjoçaj që na gjen, na thirr, është seanca e tretë që bëhet tani dhe firma ka fuqinë që banorët e Zallgjoçaj dhe aktivistët e Zallgjoçaj të dalin para gjykatës brenda muajit, brenda një muaji e gjysëm. Kurse paditë tona pesë vjet rrinë për gjykata dhe nuk nuk na pyet njeri fare se për çfarë. Për dëmet që na ka sjellë kjo firmë. Kjo është një presion i hapur që aktivistët dhe banorët e Zallgjoçaj të mbyllin gojën, të mos flasin, të mos bëjnë protesta, të mos marrin pjesë.'

'Ne nuk kemi prishur imazhin e firmës. Po firma ka prishur imazhin e atij vendit, sepse e ka kthyer gjithë zonën në një shkretëtirë të vërtetë. Këto na padisin neve këtu për të na bërë presion që ne të mos ta ngrejmë këtë problem. Çado që të bëjnë ato, ne kërkojmë drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi.'- u shpreh një tjetër banor.

'Ka vazhduar dhe ju krijon edhe presion dhe banore. I kemi edhe banorët e fshatit Lufaj që ju krijoi një çikë presion këto punëtorët e kompanisë. Kërkojmë hetim çdo firmë që ka hedhur për devijimin e kanioneve. Kërkojmë hetim nga Zallgjoshaj, Gjoshaj, Lufaj.
Po ne vetëm Zoti i madh do na mbylli gojën. Çdo ditë po na aktivizon, po na bën më gjallëri më shumë. Nuk ka më, se po na tremb kjo pjesë. Nuk na tremb. E kemi me të drejtë ne të madhit Zot.'
u shpreh nje banor tjetër.

'Kam kaluar një jetë të tërë aty dhe ai vend është shumë i mrekullueshëm. Na ka shkaktuar pasoja të tmerrshme. Pa ujë nuk jetohet.' u shpreh nje e moshuar , banore e zonës.

Më tej një tjetëtr banor u shpreh: Këto janë ata që i kanë, kanë hapur 4 km tunel për të grabitur ujin e Zall Gjoshajt. Kanë, kanë vrarë, kanë vrarë gjallesat e lumit. Tre muaj rresht korbat kanë, kanë ngrënë, kanë ngrënë peshq të ngordhur.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco