Rrëshqitja e dherave pranë fshatit Vllahinë këtë të mërkurë solli bllokimin e plotë të segmentit rrugor që lidh fshatin Peshkopi me Vllahinën dhe Pocemin, duke ndërprerë qarkullimin për rreth 45 minuta dhe duke krijuar trafik të rënduar.
Reshjet intensive shkaktuan shembje të skarpateve pikërisht në një rrugë e cila ishte riasfaltuar para pak kohësh dhe që lidhet me rrugën e re të Pocemit, një projekt i inauguruar vetëm disa muaj më parë nga qeveria. Megjithëse investimi konsiderohej si një ndër projektet që do të lehtësonte qarkullimin në zonë, rrëshqitja e dherave e nxori rrugën jashtë funksioni në kohën e parë të motit të keq.
Dhjetëra mjete mbetën të bllokuara, ndërsa drejtuesit e tyre u detyruan të presin deri në mbërritjen e mjeteve për pastrimin e dherave. Ngjarja solli në vëmendje edhe mungesën e barrierave mbrojtëse përgjatë rrugës, një problematikë e njohur, por e neglizhuar, e cila e përkeqësoi situatën dhe izoloi përkohësisht banorët e disa fshatrave të zonës.
Ky incident shton kritikat ndaj cilësisë së punimeve dhe mungesës së standardeve të sigurisë në investimet publike të qeverisë, të cilat shpesh reklamohen si arritje, por nuk i rezistojnë as reshjeve të para të stinës.
© SYRI.net