Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë finalizuar një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikut të armëve. Operacioni policor, i koduar “Gun Expert”, u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, dhe u ndoq me metoda speciale hetimi.
Si rezultat i operacionit, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Altin Celami, 46 vjeç, banues në Tiranë, ish-ushtarak, i cili u ndalua në Rrugën e Dibrës teksa drejtonte automjetin e tij tip taksi, që e përdorte për të shmangur kontrollet policore.

Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës së tij, u gjetën dhe u sekuestruan: 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike e llojit kokainë, si dhe pjesë të ndryshme armësh, të cilat dyshohet se do të shiteshin tek grupe kriminale.
Policia bën me dije se 46-vjeçari kishte qenë i implikuar edhe më parë në veprimtari të ngjashme kriminale. Aktualisht, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë rrjet furnizimi me armë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
© SYRI.net