SYRI TV/ ‘Mafia shqiptare e fuqishme e në Kolumbi’ - Kryeprokurori italian jep alarmin SOS: Shqiptarët të disiplinuar dhe të dhunshëm

11:10, 25/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përveç Evropës, mafia shqiptare tashmë ka rrënjë të fuqishme edhe në Kolumbi duke pasur një bashkëpunim të ngushtë edhe me Ndrangheta. Në një intervistë për Syri TV, Kryeprokurori i Napolit, Nicola Gratteri tregon karakteristikat e grupeve kriminale, duke vene theksin se janë të dhunshme, të fuqishme dhe të disiplinuara. Sipas kryeprokurorit italian, paratë e krimit investohen në Shqipëri.

Syri TV

Mafia shqiptare  po forcon rolin e saj në Evropën e Veriut në Holande dhe ne Belgjikë, por po kalon edhe me tej duke shkuar deri në Kolumbi ku ka një bashkëpunim të ngushtë. Kryeprokurori i Napolit, Nicola Gratteri, ekspertin për çështjet e mafias në Itali, në një intervistë për Syri Tv shprehet se mafia shqiptare është e fuqishme e disiplinuar dhe e ngjashme me  Ndrangheta.

Nicola Gratteri: Unë e shoh mafian shqiptare si një mafie në ngritje në Europë, një mafie në rritje të vazhdueshme. Ajo po forcon praninë e saj sidomos në Europën e Veriut, në vende si Holanda dhe Belgjika, por tashmë e shohim të përfshirë edhe në Kolumbi, në bashkëpunim të ngushtë me ‘Ndrangheta’-n. Prej disa kohësh, mafia shqiptare ka arritur të transportojë në mënyrë të pavarur ngarkesa të mëdha kokaine dhe madje të menaxhojë logjistikën e transportit për llogari të ‘Ndrangheta’-s në Europë. Në përgjithësi, ajo është një mafie e fuqishme dhe shumë e disiplinuar, e cila për nga dhuna dhe struktura e saj ushtarake i ngjan shumë ‘Ndrangheta’-s. Pikërisht për këtë arsye, është e frikshme dhe arrin të imponohet edhe në nivel ndërkombëtar.

Gratteri i ndal edhe te investimiet e grupeve kriminale shqiptare që sipas tij, paratë e ardhura nga aktivitete kriminale drejtuesit e grupeve i investojnë në Shqipëri duke shkaktuar edhe frike për shkak të pushtetit që përfitojnë.

Nicola Gratteri: Personalisht nuk jam ekspert i dinamikave të brendshme të Shqipërisë, por është e qartë se bëhet fjalë për një mafie të fortë dhe të pasur, e cila arrin të zhvillojë këtë lloj trafiku të sofistikuar të drogës. Ashtu si mafiet italiane, të cilat edhe pse kanë shtrirje jashtë vendit, rikthejnë fitimet në Itali, po kështu familjet mafioze shqiptare që veprojnë ndërkombëtarisht kthejnë një pjesë të madhe të parave të pista në Shqipëri. Këto para investohen në bizneset vendase, jo vetëm për përfitim ekonomik, por për të demonstruar pushtetin dhe pasurinë e tyre përpara komunitetit, duke krijuar frikë, nënshtrim dhe herë pas here edhe mbështetje.

Sipas kryeprokurorit italian, mafia shqiptare është shumë më e pranishme në rajonin e Lazios, pra pak më në veri të Kampanias, veçanërisht në provincën e Latinës dhe provincën e Romës. Aty ajo është e strukturuar dhe e rrënjosur mirë, duke krijuar kontakte me Kamorrën italiane.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco