Dëmet e shkaktuara nga zjarri në Gramsh janë përllogaritur në 31 milionë euro. Dhjetëra banesa u përfshinë nga flakët në muajin Gusht ku 10 prej tyre u dogjën plotësisht. Në bilancin e humbjeve janë përllogaritur edhe bagëtitë dhe tokat e mbjella.
Syri tv
Në Bashkinë e Gramshit ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarri i 11 gushtit, i cili për disa ditë me radhë përfshiu disa fshatra duke shkrumbuar dhjetëra banesa dhe mijëra hektarë tokë bujqësore.
Fatura e dëmeve arrin në rreth 31 milionë euro, dhe tashmë i është dërguar Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të nisur procedurat e ndërhyrjes.
Sipas të dhënave nga grupet e punës, 68 banesa janë dëmtuar nga flakët — 10 plotësisht dhe 42 pjesërisht. Bashkia e Gramshit, përmes zyrës së urbanistikës, po harton projektet për rindërtimin dhe rikonstruksionin e tyre.
Në bilancin e dëmeve përfshihen edhe bagëtitë, të mbjellat, stallat dhe pyjet.
Zjarri ka shkaktuar humbjen e 215 krerëve bagëti të imta, 9 gjedhëve dhe 7 njëthundrakëve, ndërsa janë djegur edhe dhjetëra hektarë ullinj, rrush, bimë medicinale dhe pemë frutore.
Tashmë pritet miratimi i fondit nga Agjencia e Mbrojtjes Civile.
© SYRI.net