Shpërthimi i fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Sarandë ka lënë pas jo vetëm dëme të konsiderueshme materiale, por edhe trauma tek banorët e zonës. Sot në mëngjes, pronarët e bizneseve pranë vendngjarjes janë marrë me pastrimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi, ndërsa rruga mbeti e bllokuar deri në orët e para të ditës.
Banorët, ende të tronditur, shprehen të frikësuar dhe të pasigurt. Shumica nuk pranojnë të flasin përpara kamerës, nga frika e ndonjë pasoje.
“Ishte një shpërthim i frikshëm. I njoh ata njerëz. Janë njerëz të mirë, por fëmijët ndonjëherë bëjnë gjëra që nuk të shkon mendja. Mendova se ishte tërmet. Dëmet janë të mëdha, dhe ajo që i ndodhi atij babai ishte tragjike. Nëse djali kishte probleme, pse duhej të vuante i ati?”, tha një prej grave.
Një banore tjetër tha: Nuk është vendi i egër, janë njerëzit që janë bërë të egër…
Një tjetër dëshmitare tregoi: “Na u thyen xhamat në shtëpi. Fëmijët u trembën shumë, desh vdiqëm nga frika. Kishim dhe turistë të huaj në shtëpi, njëra prej tyre shtatzënë, dhe nisi të qante nga paniku."
Gjatë paradites së sotme, mjeti i shkatërruar nga shpërthimi është tërhequr nga vendi i ngjarjes. Specialistë xhenierë kanë bërë inspektime për të përcaktuar llojin dhe sasinë e lëndës plasëse të përdorur, ndërsa hetimet po drejtohen drejt pistës së një shpërthimi të telekomanduar.
Burime nga policia për gazetaren e Syri TV, bëjnë me dije se janë shoqëruar mbi 10 persona, banorë të zonës, për t’u marrë në pyetje. Dyshohet se autori mund të ketë qenë në mjetin e dytë të ndalur pranë objektivit, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Sot, në orën 15:00, 58-vjeçari Isuf Jaçe, viktima e shpërthimit, do të përcillet për në banesën e fundit.
© SYRI.net