VIDEO/ Lushnjë - Dhunuan 52-vjeçarin në lokal, dy kushërinjtë arrestohen në flagrancë

10:51, 05/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy kushërinj janë vënë në pranga nga Policia e Lushnjës, pas një ngjarjeje të dhunshme të ndodhur ditën e djeshme në një lokal në lagjen “Gafurr Muço”.

Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy autorëve të dyshuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë arrestuar shtetasit Enea Zhuri, 35 vjeç dhe Mario Zhuri, 31 vjeç, të dy banues në fshatin Qerret i Ri, Lushnjë.

Sipas Policisë, ata dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte dhe sende të forta shtetasin A. Gj., 52 vjeç, banues në fshatin Jeta e Re. I dëmtuari ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve në spital.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco