Vdekje misterioze në Lezhë, 65-vjeçari dyshohet të ketë humbur jetën aksidentalisht. Ndryshon dinamika e ngjarjes

10:28, 04/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë që u regjistrua pasditen e 3 tetorit në fshatin Pllanë të Lezhës, ku u gjet pa shenja jete 65-vjeçari Gjergj Tusha, i cili kishte humbur kontaktet me familjarët prej orësh.

Policia njoftoi se vajza e të ndjerit raportoi mungesën e tij, dhe pas disa orësh verifikimesh, trupi i pajetë u konstatuan në breg të lumit Mat, në territorin e fshatit Pllanë.

Fillimisht dyshohej për ngjarje kriminale, pasi paraprakisht u tha se viktima kishte shenja dhune dhe një plagë që dyshohej të ishte nga armë zjarri.

Gazetari Fatjon Gjinoj, raporton për Syri Televizion, se trupi i të ndjerit u dërgua në morgun e Tiranës për ekspertizë mjeko-ligjore.

LEXO EDHE: U dhunua dhe qëllua me armë zjarri, ky është 65-vjeçari Gjergj Tusha që u gjet i vrarë pranë hidrovorit në Talë

Burime pranë grupit hetimor thonë se ekziston dyshimi që vdekja të jetë aksidentale, pasi 65-vjeçari kujdesej për një tufë gjedhesh dhe plaga mund të jetë shkaktuar nga kafshët. Për ta zyrtarizuar këtë dyshim, pritet përfundimi i akt-ekspertizës.

Sa i takon versionit të vrasjes, që u përmend fillimisht për shkak të kallëzimeve të mëparshme për dhunë brenda familjes, burimet thonë se kjo pistë thuajse ka rënë.

Hetimet paraprake konfirmojnë se njëri nga djemtë ndodhej në Greqi, ndërsa tjetri në vendin e punës në momentin e ngjarjes, gjë që është dokumentuar nga pamjet filmike të kompanisë ku punon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco