U fsheh 40 minuta pas makinës, e kapi plumbi rikoshet/ Detaje nga vrasja e biznesmenit, autori aksioner i një guroreje

U fsheh 40 minuta pas makinës, e kapi plumbi rikoshet/ Detaje nga vrasja e biznesmenit, autori aksioner i një guroreje

10:23, 30/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur tre ditë më parë në Tepelenë, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi, gjatë një udhëtimi për gjah në zonat malore. Pas ngjarjes që tronditi opinionin publik, hetimet kanë nxjerrë në dritë një motiv banal, që përshkallëzoi konfliktin në një vrasje të rëndë me armë zjarri.

Sipas burimeve zyrtare, 48-vjeçari Kamber Sulçaj, banues në Mesapik të Vlorës, ka qenë duke lëvizur me automjet në të njëjtin segment rrugor ku ndodhej edhe automjeti i italianit, një Land Rover, me të cilin ai dhe miqtë e tij po ktheheshin nga gjahu.

Dritat e gjata të automjetit të Sarchit duket se kanë shkaktuar nervozizëm te Sulçaj, i cili nisi fillimisht një përplasje verbale me grupin e italianëve. Konflikti mes palëve ka degjeneruar në ofendime reciproke, çka e ka nxitur autorin e dyshuar të ndjekë automjetin e tyre.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Sulçaj ka ndjekur makinën e biznesmenit dhe i ka zënë pritë në një zonë të pyllëzuar, në të ashtuquajturën Qafa e Dilanit. Në këtë vend, ai ka hapur breshëri automatike në drejtim të automjetit të italianëve.

Pasagjerët e tjerë kanë arritur të braktisin makinën dhe të strehohen në kanal për t’i shpëtuar plumbave. Ndërsa biznesmeni Edoardo Sarchi ka mbetur i bllokuar për rreth 40 minuta, mes të shtënave, pa mundur të dalë nga mjeti. Sipas ekspertizës paraprake, një plumb që ka devijuar (rikoshetuar) ka qenë fatal për jetën e tij.

Kamber Sulçaj, tashmë i shpallur në kërkim nga policia, rezulton të jetë aksioner në një gurore në zonën e Bratajt, Selenicë, të quajtur “Stone Quramenga”. Ai zotëron 25% të aksioneve, ndërsa ortakë të tij janë babai, Delo Sulçaj (20%) dhe vëllai, Akil (Ermal) Sulçaj (15%), së bashku me dy aksionerë të tjerë.

Po ashtu, ai është pronar i një stani me bagëti në zonën malore të Vlorës.

Nuk është hera e parë që emri i familjes Sulçaj del në raport me autoritetet. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestua vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre, Roel Sulçaj. Të dy u kapën në flagrancë me 2,632 fara kanabisi, të cilat dyshohej se do të përdoreshin për kultivim dhe më pas shitje.

Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërkohë që ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, për shkak të motivacionit të papërfillshëm që çoi në humbjen e një jete dhe për reaksionin ekstrem të dhunës në rrugë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco