Ka kaluar një vit nga vrasja e dy vëllezërve, Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, ndërsa Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen me të gjitha detajet e kësaj ngjarjeje. Organi i akuzës ka publikuar të gjithë dinamikën dhe bashkëpunimin e autorit Altin Kuka, i cili, së bashku me dy djemtë e tij, ekzekutoi vëllezërit Kurtaj. Ngjarja e rëndë u regjistrua në shtator të vitit të kaluar, në fshatin Kurjan të Roskovecit.
Nga SYRI TV
Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq 7 persona, pas vrasjes së dyfishtë të dy vëllezërve në fshatin Kurjan të Roskovecit. Gramos dhe Lavdimir Kurtaj u vranë me breshëri plumbash nga Altin Kuka. Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 shtator 2024, para biznesit të familjes Kurtaj.
Sipas organit të akuzës, është provuar se të pandehurit Altin Kuka, Ervis Kuka dhe Emaurisio Kuka, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ekzekutuar dy vëllezërit Kurtaj.
Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Ervis Kuka kishte pasur një konflikt fizik me djemtë e viktimës, Gramoz Kurtaj, dhe kishte qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe ndaj vetë Gramoz Kurtajt. Pas një komunikimi telefonik, dy të pandehurit, Emaurisio dhe Ervis Kuka, janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar vëllait të tij ngjarjen.
Gjithashtu, nga hetimet e Prokurorisë së Fierit është zbuluar e gjithë dinamika deri në momentin kur u ekzekutuan dy vëllezërit me kallashnikov.
Sipas organit të akuzës, arma e zjarrit, një automatik me të cilin Altin Kuka ka qëlluar viktimat Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, ishte siguruar nga djemtë e tij.
Ndërkohë, para kryerjes së krimit, Ervis Kuka e kishte lënë kallashnikovin në kasollen përbri pularisë, me qëllim që ta merrte më pas vëllai i tij, Emaurisio Kuka.
Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit një automatik luftarak ka shkuar në vendin ku ndodheshin dy vëllezërit Kurtaj, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën, ka mbushur karikatorin dhe i ka kërkuar babait të tij, Altin Kuka, të qëllonte me breshëri drejt dy vëllezërve.
Gjithashtu, për këtë ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin në gjyq të shtetasit Tomor Zyka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”.
© SYRI.net