Vrasja me armë e dy vëllezërve Kurtaj, Prokuroria Fier dërgon në gjyq 7 persona. Ja roli i tyre në krim

Vrasja me armë e dy vëllezërve Kurtaj, Prokuroria Fier dërgon në gjyq 7 persona. Ja roli i tyre në krim

09:54, 26/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 7 persona, mes tyre Altin Kuka, i vetëdorëzuar si autor i dyshuar i vrasjes, si dhe të afërm e bashkëpunëtorë të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kurjan të Roskovecit, ku vëllezërit Gramos e Lavdimir  Kurtaj u qëlluan me armë mesditën e datës 10.09.2024. Njëri prej vëllezërve humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa tjetri vdiq në urgjencën e Fierit. Tre shtetasit Altin Kukaj, Ervis Kukaj dhe Emauris Kukaj, do të përballen me akuzën “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa katër të tjerë, për vepra penale që lidhen me përkrahjen e autorit dhe moskallëzimin e krimit.

Hetimet zbuluan një skemë të mirëorganizuar, me bashkëpunim mes disa personave për realizimin dhe mbulimin e krimit, përfshirë fshehjen e armës dhe heshtjen e qëllimshme për të penguar drejtësinë. Kjo dosje rëndon më tej bilancin e ngjarjeve të rënda kriminale në vend dhe ngre sërish pikëpyetje mbi sigurinë, armët që qarkullojnë lirshëm dhe përgjegjësinë e institucioneve për të parandaluar tragjedi të tilla.

Si ndodhi vrasja e vëllezërve Kurtaj?

Dy vëllezërit Kurtaj u vranë me armë zjarri në shtator të vitit 2024, pas një konflikti me një prej djemve të autorit. Të shtënat ndodhën në një lokal të fshatit, ku Altin Kuka shkoi bashkë me të birin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”. Zanafilla  dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave, Gramos Kurtajt. Dy vëllezërit, Ladimir Kurtaj dhe Gramos Kurtaj njëri 52 vjeç dhe tjetri 46 vjeç, kanë qenë duke pirë kafen e drekës në lokalin në pronësi të tyre, kur në derë ka mbërritur Altini i armatosur dhe i ka qëlluar. 

LEXO EDHE: FOTO-EMRAT/ Identifikohen dy të vrarët në Kurjan të Fierit

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.K., Er.K. dhe Em.K për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79, gërma ‘dh’ e Kodit Penal si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.

Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.

Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.

Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco