Abuzuan seksualisht me 16-vjeçaren, Gjykata e Gjirokastrës lë në burg njerkun polic dhe 2 shantazhuesit

13:02, 22/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për katër të akuzuar lidhur me një ngjarje të rëndë abuzimi seksual ndaj një 16-vjeçareje nga Këlcyra. Të akuzuarit janë: Isi Pasho, Kristian Prifti, Pajtim Baka (punonjës policie dhe njerk i vajzës së mitur) dhe Artur Ago, i cili është shpallur në kërkim dhe ndodhet ende në arrati.

Prokurorja Denisa Plaku paraqiti provat dhe dëshmitë e ofruara nga OPGJ dhe AMP gjatë seancës gjyqësore, ku u theksua roli i secilit të pandehur në këtë ngjarje të rëndë. Ajo shpjegoi për komunikimet mes të miturës dhe personave të akuzuar, veçanërisht ato mes vajzës dhe Artur Agos, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të miturën për një periudhë prej tre vitesh.

Një tjetër zhvillim shqetësues është se dy nga të akuzuarit, Isi Pasho dhe Kristian Prifti, janë të akuzuar për shantazhimin e efektivit të policisë Pajtim Baka, duke kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar një video intime të të miturës. Ky skandal ka tronditur rëndë opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime mbi abuzimin e autoritetit nga ana e punonjësve të policisë.

Po ashtu, një prej personazheve kyç, 53-vjeçari A.A., i cili shfaqej në videon intime me të miturën, nuk është vënë ende në pranga. Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet se është larguar drejt Greqisë përmes pikës kufitare të Kakavijës. Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e të arratisurit.

Të akuzuarit përballen me akuza për ngacmim seksual, kanosje dhe veprime të tjera të lidhura me abuzimin. Avokatët mbrojtës kërkuan një masë më të lehtë sigurie për klientët e tyre, por kërkesa e tyre u refuzua nga gjykata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco