EMRI/ Arrestohet 20-vjeçari në Shkodër, i dyshuar si organizator i trafikut të armëve Shqipëri - Angli

EMRI/ Arrestohet 20-vjeçari në Shkodër, i dyshuar si organizator i trafikut të armëve Shqipëri - Angli

10:51, 22/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Roseljo Arifi, një 20-vjeçar nga Shkodra, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia, i dyshuar si organizator i një grupi kriminal që trafikonte armë nga Shqipëria në drejtim të Anglisë përmes linjave të autobusëve. Arifi u arrestua në shtëpinë e tij, pas një operacioni të realizuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në kuadër të operacionit të koduar “Metoda”.

Në bashkëpunim me dy të arrestuarit e tjerë, Jurgen Susa dhe Segest Meti, Arifi kishte tentuar të trafikonte një armë zjarri të çmontuar, të fshehur brenda një televizori. Operacioni i trafikut është zbuluar nga policia ditën e djeshme, pasi një kompani transporti Shqipëri-Angli kishte njoftuar për një porosi të dyshimtë që kishte arritur në Shkodër, e cila përmbante një televizor. Pas kontrollit, brenda televizorit u gjet një pistoletë e çmontuar, bashkë me një silenciator.

Në deklaratat e tyre, të dy të arrestuarit kanë pranuar se ishin në dijeni për trafikun e armëve dhe kanë identifikuar Roseljo Arifin si personin që i ka thirrur për të marrë pjesë në këtë veprimtari kriminale. Policia ka sekuestruar celularët e të dyve, ku janë gjetur biseda të shumta dhe foto të armëve, duke përfshirë diskutime për dërgimin dhe shitjen e pistoletave jashtë vendit, kryesisht në Britani të Madhe.

Dyshohet se ky grup kriminal ka realizuar të njëjtën veprimtari të paktën edhe 3-4 herë më parë, duke përdorur metoda të ngjashme për të transportuar armë të fshehura në objekte të tjera si monopatinat.

Skema kriminale u zbulua pas një njoftimi nga një kompani transporti, e cila kishte pranuar një porosi të dyshimtë për një televizor që do të dërgohej nga Shkodra drejt Anglisë. Pas kontrollit të policisë dhe hetimeve të mëtejshme, u konstatua se armët ishin fshehur brenda televizorit, duke konfirmuar një operacion të organizuar trafikimi armësh përmes linjave të autobusëve ndërkombëtarë.

Policia vijon hetimet dhe është në proces të grumbullimit të më shumë provave për këtë grup kriminal, ndërsa dy të arrestuarit kanë dhënë informacion që mund të çojë në zbardhjen e veprimeve të tjera të mundshme të ngjashme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco